Të enjten pritet ta kryejnë betimin Ilir Peci si kryetar i ri i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri si kryetari i ri i Zubin Potokut.
Peci e Zeqiri, procedurën e betimit do ta kryejnë në orën 10:00 në “objekte publike”.
Këtë për Express e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi.
Ilir Peci e Izmir Zeqiri të enjten e 25 majit në orën 10:00 do ta japin betimin si kryetar të Zveçanit e Zubin Potokut.
Këtë e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi. Ai për Express tha se të dy kryetarët do ta bëjnë betimin në objekte publike, duke shtuar se seancat solemne janë thirrë nga asamblistët më të vjetër të dy asambleve, që janë nga radhët e VV-së.
“Të dy komunat që i ka fituar PDK nga zgjedhjet, kanë ftuar brenda afatit ligjor, seancat e tyre për datën 26 maj, por ftesat është bërë nga asamblistët më të vjetër në këto dy komuna, ashtu siç e thotë ligji. Në këtë rast, ka qëlluar që në të dy asambletë, asamblistët më të vjetër të jenë nga radhët e Vetëvendosjes. Janë dërguar ftesat për datën 26 maj, njëra në orën 10:00 tjetra në orën 13:00, por me kërkesë të ministrive dy asamblistët më të vjetër në këto komuna i kanë ndërruar datat dhe vendet, për arsyet që ua ka kërkuar ministria, pra për shkaqe sigurie etj., dhe këto janë vendosur të mbahen me datën 25 maj në objekte publike, por vendin e kanë ndërruar asamblistët më të vjetër në koordinim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mesa e di të dy seancat do të mbahen në orën 10:00”, tha Gjoshi për Express.
Peci e Zeqiri janë kandidatët e PDK-së që kanë fituar më së shumti vota në Zveçan e Zubin Potok në zgjedhjet e 23 prillit, që u karakterizuan me dalje të ulët të pjesëmarrjes në votime.
Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për ta pyetur rreth datës së betimit edhe të kryetarit të Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.
Erden Atiq u betua të premten si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut
Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua të premten. Ai mori më së shumti vota në zgjedhjet e 23 prillit që u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.
Të premten, para mbajtjes së seancës solemne, në objektin e komunës u vendos flamuri i Kosovës.
Vendimi i parë që Atiq mori, ishte emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të Komunës.
Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.
Atiq tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.
Hovenier kërkoi kryetarë me “rol teknik”, Konjufca thotë se roli i tyre përcaktohet me Kushtetutë
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.
“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë për Telegrafin.