Sot pritet të betohen kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic. Një ditë më parë kryemiknistri Kurti bëri të ditur se betimi i tyre do të bëhet në ndërtesa publike në këto komuna.
Por, kryetari i zgjedhur i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ceremonia e betimit solemn të tij do të mbahet në fshatin Boletin, në objektin “Kulla e Isë Boletinit”.
Betimin solemn, kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, do ta bëjë në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.
Vetëm Zubin Potoku e ka asamblenë komunale funksionale, ndërsa dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato. Konstituimi i kuvendeve komunale do të bëhet në të njëjtat objekte ku do të zhvillohet ceremonia e betimit.
Kurti, gjithashtu, bëri të ditur se në Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit, janë emëruar edhe katër drejtorë.
“Janë një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar – prej tyre dy gra – dhe ky është progres që duhet të normalizohet”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.