Sipas lajmit të dhënë nga footmercato, për Zinedin Zidan ka ardhur një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite. Skuadra në fjalë është Al Nassr, që kohët e fundit është ndarë nga Rudi Garsia dhe që ka në radhët e saj Kristiano Ronaldo-n.
Oferta për Zidanin ka qenë një kontratë dyvjeçare prej 150 milionë eurosh. Gjithmonë sipas medias franceze, Zidan e ka refuzuar. Disa emra të profilit të lartë si Hoze Murinjo dhe Zinedin Zidan ishin të lidhur me marrjen e drejtimit në Al-Nassr, sezonin e ardhshëm.
Kristiano Ronaldo ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme nën drejtimin e Zidanit. Francezi mori drejtimin e Real Madridit pasi Rafael Benitez u shkarkua në mesin e sezonit 2015-16. Ronaldo fitoi tre tituj në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e francezit dhe ishte golashënuesi më i mirë në të gjitha ato edicione.
Portugezi luajti 114 ndeshje nën drejtimin e Zidane, duke shënuar 112 gola dhe duke dhënë 30 asiste. Ndërkohë, Al-Nassr do të mbetet pa trofe këtë sezon nëse nuk e fiton Ligën Pro Saudite. Ata kanë 63 pikë nga 28 ndeshje dhe janë 6 pikë mbrapa kryesuesve të Al-Ittihad.