LajmeRajon

Tensionet në Veri/ Sarrazin takohet me Komandantin e KFOR’it: Dënojmë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në objektet komunale

Para takimit me kryeministrin Albin Kurti, Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është takuar me Komandantin e KFOR’it, Angelo Mikele Ristuccia, për të folur lidhur me zhvillimet e djeshme në veri të vendit.

Sarrazin ka thënë se e dënojnë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në objektet komunale.

“Në Kosovë për të vlerësuar situatën, duke folur me @EULEXKosovo #KFOR, Qeverinë e Kosovës, Serbët e Kosovës në Mitrovicë. Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri dhe reagimet e dhunshme”, ka shkruar Sarrazin.

Ai ka kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe përkushtim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar mënjeherë marrëveshjet e arritura.

“Vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe përkushtimi të plotë nga Kosova dhe Serbia për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjeve të arritura është e nevojshme. Mbështetje e plotë për Miroslav Lajçakun në përpjekjet e tij”, thuhet tutje në postimin e tij.

Sarrazin do të takohet me Kurtin nga ora 10:00. Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.

Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

Prandaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre, me asistim të Policisë.

Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët.

Show More

Related Articles

Back to top button