Protestuesit serbë në Zubin Potok janë shpërndarë, pasi janë pajtuar që protestën ta vazhdojnë mëngjesin e nesërm (e martë).
Në Zveçan, nënkryetari i Listës Serbe, Goran Simiq, ka deklaruar se protestuesit nuk do të largohen derisa nuk do të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërsa në Leposaviq disa dhjetëra qytetarë janë duke vazhduar të protestojnë para ndërtesës komunale, ku ka forca të Policisë së Kosovës.
Mëngjesin e 29 majit, serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, kanë nisur protestat për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.
Ata kanë synuar që të parandalojnë kryetarët e rinj të hyjnë në ndërtesat komunale.
Në veri, përveç Policisë së Kosovës, të hënën misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shtuar praninë.
Më 26 maj, policia është përleshur me protestuesit të cilët kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale. Si pasojë e përleshjeve, pesë policë janë lënduar dhe disa makina policore janë djegur.
Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar ashpër duke e paralajmëruar Prishtinën që të mos ndërmarrë hapa të tjerë për “hyrje me forcë në ndërtesat komunale”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por ai ka thënë se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.
Kryetarët e rinj shqiptarë janë zgjedhur më 23 prill, në procesin zgjedhor që është bojkotuar nga Lista Serbe. /REL