LajmeMaqedoni

Trafikimi i njerëzve po bëhet gjithnjë e më shqetësues, mosha më e rrezikuar nga 14-17 vjeç

Gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 9 viktima të trafikut me njerëz, nga të cilët 8 kanë qenë femra dhe një mashkull, kryesisht të moshës nga 14 deri 17 vjeç. Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Jovanka Trençevska tha se gjatë vitit 2023 tre vajza ishin cak i shfrytëzimit.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe një kërcënim për lirinë dhe sigurinë e çdo shoqërie. Vendi ynë, si dhe vendet e rajonit, shpesh kanë luajtur një rol në çdo fazë të trafikimit të qenieve njerëzore – si vend origjine, transiti apo destinacioni. Unë do të doja të theksoj nevojën për veprim të përbashkët me vendet e rajonit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i cili është një krim i organizuar ndërkombëtar”, tha Jovanka Trençevska- ministër për Punë dhe Politikë Sociale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se ndryshe nga më parë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i destinacionit përfundimtar, vend i origjinës dhe i transitit kur bëhet fjalë për trafikimin e qenieve njerëzore. E përderisa më parë viktimat thuajse gjithmonë ishin vajza të reja nga Evropa Juglindore, tani vërehet një trend i rekrutimit të viktimave nga brenda vendit tonë, por edhe nga vendet e tjera të rajonit.

“Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore fillimisht kërkon një qasje proaktive dhe multidisiplinare… Në të njëjtën kohë, Komisioni Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Kontrabandës së Migrantëve dhe Koordinatori Nacional i Republikës së Maqedonisë së Veriut paraqesin element kyç për marrjen e masave të vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të identifikimit të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, si dhe sigurimin e me ndihmën dhe mbrojtjen në sistemin tonë”, deklaroi Oliver Spasovski- ministër i Punëve të Brendshme.

Këto të dhëna u shpalosën në hapjen e konferencës rajonale “Suksese së bashku! Vështrime dhe qasje rajonale për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore”, organizuar në kuadër të projektit të Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button