Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot për situatën në veri të Kosovës. Gjatë diskutimit të tij në panelin e diskutimit mbi Ballkanin, “Open Roads: Balkans Back in Business” në Bratislavë të Sllovakisë, Rama është pyetur se çfarë mendon për vendosjen e ushtrisë serbe në kufirin verior të Kosovës.
Rama është përgjigjur se ky veprim është një “show i jashtëzakonshëm emocional i politikës së brendshme”.
“Vendosja e ushtrisë serbe në kufij me Kosovën ka një fuqi të barabartë me zero. Situata është njësojë sikur ushtria meksikane të vendoset në kufij me Shtetet e Bashkuara”, tha Rama.
Rama se ushtria në kufij nuk mund të bëj asgjë dhe gjithçka bëhet për politikën e brendshme.
Kryeministri nënvizoi me herët edhe për fondet e BE-së. Ai tha se bëhet fjalë për fonde 11-fish më të ulëta nga BE-ja për 6 vendet e BP-së, ndryshe nga sa ofrohet për vendet anëtare.
Ai u shpreh se ka diçka që duhet të ndryshojë në marrëdhënien mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ky i fundit të mos kthehet pas sërish.
“Natyrisht që procesi i negociatave të anëtarësimit do të kërkojë kohë dhe sinqerisht jam i bindur që nuk duhet nxituar, pra duhet të jetë vërtetë një proces sistematik dhe i konsoliduar, por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore në marrëdhënien mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në qoftë se nuk duan të shohin Ballkanin Perëndimor të kthehet pas sërish”, u shpreh Rama.