LajmeMaqedoni

Mjekët apelojnë: Gratë nga zonat rurale në Maqedoni me vite nuk vizitojnë gjinekolog

Një ambulantë mobile gjinekologjike ka vizituar komunën e Debërcës, ku rreth pesëdhjetë gra patën mundësinë t’i nënshtrohen ekzaminimeve gjinekologjike dhe pap testit.

Gratë nga zonat rurale të Maqedonisë me vite nuk kanë vizituar gjinekolog dhe nuk i kanë bërë kontrollet e nevojshme të rregullta gjinekologjike. Kjo është përshtypja e mjekëve, të cilët këto ditë në kuadër të ambulantës së lëvizshme gjinekologjike kanë vizituar zonat e banuara në komunën rurale të Debërcës afër Ohrit. Për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, rreth pesëdhjetë gra kanë shfrytëzuar mundësinë për ekzaminime dhe pap test falas, shkruan Zëri i Amerikës, përcjell PRESSonline.al.

“Këto kontrolle janë të rëndësishme për të gjitha gratë dhe veçanërisht për gratë nga zonat rurale, aksesi i të cilave tek gjinekologu është i vështirë në ditët e sotme. Synimi ynë është t’i motivojmë, t’i inkurajojmë, duke qenë më afër shtëpisë së tyre, sepse janë pa pagesë dhe janë shumë të rëndësishëm për ta, të vijnë për një kontroll, i cili për ta mund të nënkuptojë jetë në disa situata”, thotë Iva Paneva, ndihmës mjeke.

Kontrollet i kryen ekip mjekësor i Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë nga Shkupi.

“Gratë që thonë se kanë kohë që nuk kanë shkuar te gjinekologu, madje prej vitesh, kur ne vijmë këtu, guxojnë të vijnë vetë për kontroll. Bëhet edhe kontolli me ultratinguj i organeve gjenitale dhe nëse ka rreziqe të mundshme, nëse është e nevojshme, ato dërgohen në ambientet përkatëse për trajtim. Është bazë për parandalimin e një numri të madh sëmundjesh”, shton Paneva.

Vullnetarët e Kryqit të Kuq përkrahën mjekët dhe pacientët e interesuar.

“Ka shumë interes. Kemi 12 pacientë në listë në ditë me një termin të saktë, kush duhet të jetë këtu dhe kur. Nga të gjitha moshat ka, të gjithë ata që jetojnë këtu. Të gjithë ata që ishin këtu u shprehën të kënaqur dhe thanë që ka nevojë për diçka të tillë”, thotë Arseni Gjorsheski, vullnetar në Kryqin e Kuq – Ohër.

Gratë nga zonat rurale kanë më pak akses për kontroll të rregullt gjinekologjik. Në këto vende pothuajse nuk ka mjekë gjinekologë amë, gjë që përbën një problem serioz për shëndetin e grave.

“Dhe ne me sukses i tejkalojmë ato pengesa përmes këtyre ambulancave mobile”, thotë Paneva.

Vetëm në komunën e Debërcës ka tridhjetë vendbanime, me rreth 4000 banorë.

“Kemi një klinikë të mjekësisë së përgjithshme, por nuk kemi klinikë gjinekologjike. Në të gjitha programet vjetore të komunës kemi përfshirë aktivitete të këtilla”, thotë Zoran Nogaçeski, kryetar i komunës së Debracës.

Nogaçeski thotë se është më se e nevojshme që aktivitetet e këtilla të jenë më të shpeshta, për t’u ndihmuar grave të këtij rajoni.

“Këto aktivitete janë të rëndësishme për ne, sepse kontribuojnë në rritjen e numrit të grave që jetojnë në mjedisin tonë, të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë shkuar në kontrollet e rregullta gjinekologjike për t’i bërë ato. Së pari, largësia, së dyti, mungesa e një klinike gjinekologjike, së treti, mentaliteti i njerëzve”, shton Nogaçeski.

Klinika e lëvizshme gjinekologjike deri më tani ka vizituar shumë zona rurale dhe periferike në të gjithë vendin. (PRESSonline.al)

Show More

Related Articles

Back to top button