LajmeRajon

 Kurti: Protestat në veri nuk janë vullnet i popullit, janë me direktivë të Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se protestat në veri të vendit janë organizuar me direktivë të Beogradit zyrtar dhe të njëjtat nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit serb në Kosovë.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës kanë vepruar në përputhje me ligjin, ndërsa ka theksuar se qeveria e drejtuar nga ai beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë, ne jemi thelbësisht transatlantik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të jetë e njëjtë, Serbia është vend autokratik, Serbia nuk është vend demokratik në Serbi shtyhen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita, dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale. Në vendin tonë të dashur deputetë ekziston një komunitet që nuk po lejon më shumë se një parti, për shkak të Beogradit, vetëm Lista Serbe dhe asnjë tjetër. Kosova sot nuk është demokratike në veri sepse Beogradi nuk lejon më shumë se një parti, Beogradi dëshiron një shtet, një parti, një udhëheqës, një kishë. Por nuk ka demokraci pa pluralizëm politik, komuniteti serb ka nevojë për pluralizëm, politik”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se është i nevojshëm demokratizimi i Serbisë por ka shtuar se Kosova nuk mund të paguajë për këtë.

“Demokratizimi i Serbisë është i nevojshëm por Kosova nuk mund të paguajë për demokratizimin e saj, ne mund ta ndihmojmë demokratizmin e Serbisë por jo të paguajmë për demokratizimin e Serbisë, Kosova nuk mund ta kompensojë Serbisë për mosndëshkimin e Rusisë dhe as për humbjen e luftën ë Kosovë. Unë dëshiroj që të gjitha të drejtat e serbëve të jenë të plotësuara dhe të gjitha kërkesat e tyre të jenë të dëgjuara, prandaj edhe jam kryeministër i të gjithëve”, ka thënë Kurti.

Ky territor kurr nuk ka qenë i tyre, ky territor ka qenë i shtypur prej tyre, jo i tyre, andaj është tejet e rëndësishëm që këtë tu a bëjmë të qartë të gjithëve, duam ta ndihmojmë demokratizmin dhe evropianizimin e Serbisë por nuk paguajmë çmim si shtet e si territor për këtë”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se protestat në veri nuk janë protesta prej poshtë, por të njëjtat janë organizuar me direktivë nga Beogradi zyrtar.

“Në shqiptarët kemi shumë përvojë historike në organizim të protestave e demonstratave ku shprehin pakënaqësinë, protestat vinë prej poshtë, këto nuk janë protesta prej poshtë, këto janë protesta prej lartë, që do të thotë që nuk janë protesta, nuk ka asgjë autentike në ato protesta, nuk është vullnet i popullit ai, është direktivë e Beogradit, dhe mua më vjen keq për qytetarët serb të cilët detyrohen të dalin në këto protesta sepse unë mendoj që ata sot janë njerëzit më të pa lirë në Republikën e Kosovës. Pikërisht ai qytetari serb që duhet se po e shpreh një vullnet aty para Komunës, atij i mungon më së shumti liria, por jo për shkak të Prishtinës por për shkak të Beogradit, ata duhet të çlirohen nga kjo milici fashiste, dhe Republika e Kosovës, me organet e saj po e bënë pikërisht këtë gjë.

Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste, dhe ne duhet t’i ndihmojmë serbëve që të çlirohen nga milicia fashiste, e jo të dorëzohemi përballë tyre”, ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar se institucionet e Kosovës vetëm i kanë zbatuar detyrat e tyre, derisa ka theksuar se hyrja e kryetarëve të rinj në objektet komunale nuk ka pse të quhet hyrje me forcë.

“Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por kjo kronologji tregon gjithashtu se që ka pasur jo vetëm konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar, pra nuk ka pasur asnjë befasi pasi ky ka qenë një proces me shumë hallka e ku hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e tij të punës. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kovës, nuk hyn Policia me forcë në ndërtesë të vet, nuk hynë kryetari i komunës me forcë në ndërtesë të vet, ajo është zyra e tij”, ka thënë ai./KosovaPress

Show More

Related Articles

Back to top button