Pas më shumë se dy orë diskutimesh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan Gabriel Escobar shfaqën shpresën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Zoti Lajçak tha se në takim u paraqitën propozimet me tri elemente: “i pari shtensionimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhjet e reja sa më parë në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”.
Zoti Lajçak i cilësoi të gjata, të hapura dhe të vështira diskutimet me kryeministrin Albin Kurti për këto propozime.
I dërguari amerikan tha se nuk ka parë kurrë me parë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik.
“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe çdo mik i Kosovës i ka bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj se do të dëgjohemi”, tha zoti Escobar.
Një gjë dua të them, “erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Duam që Kosova të përmbushë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë suaj tokësore. Krejt çfarë po kërkoj është të dëgjohemi”, theksoi zoti Escobar.