Partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet të cilat do të mbahen për Këshillin e Komunës së Tetovës me 20 gusht. Edhe lista qytetare “Më mirë për Tetovën” do të garojë përsëri. Mirëpo, ata ende nuk i kanë gati listat me emrat e këshilltarëve, për Portalb.mk ata tregojnë se ditët në vijim kur t’i kenë gati do t’i shpalosin të njëjtat para publikut. Gjithashtu, ata tregojnë se me kë (nuk) do të bashkëpunojnë në këtë garë.
Nga Lëvizja Besa (LB) thonë se sipas të gjitha gjasave do të ketë risi në listën e këshilltarëve, madje siç thonë ata do jetë risi shumë pozitive, por këtë vendim do ta sjell kuvendi i degës në Tetovë dhe kuvendi qendror i partisë.
“Kemi kontakte dhe jemi të hapur për bashkëpunim me partitë opozitare dhe të gjithë ata që e duan të mirën Tetovës dhe pasi që të ketë diçka konkrete do të njoftohet opinioni nga ana e Lëvizjes Besa. Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet opozitare shqiptare”, thanë nga LB.
Lista qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT) konfirmon se përsëri do të merr pjesë në zgjedhje, thonë se kësaj here do vijnë me risi të reja në listë dhe më të përgatitur, pasi siç thonë në këtë periudhë kanë pasur anëtarë të rinj.
“Në inicimin tonë të gjithë anëtarët janë të barabartë, prandaj dhe të gjithë që do të kenë vullnet dhe guxim ti hynë kësaj sfide do të kenë mundësi të jenë pjesë e listës. Qysh nga fillimi i paraqitjes së listës kemi deklaruar që të vetmin partner të koalicionit e kemi popullin. Po kjo nuk domethënë që nuk do të përkrahim dhe ofrojmë ndihmë për çdo vendim dhe proces në të mirën e qytetit ashtu siç nuk kursejmë kritikat kur vlerësojmë se duhet reaguar”, thanë nga MMPT.
VMRO-DPMNE-ja nuk ka vendosur ende se a do të garojë me listën e njëjtë ose jo, ditëve në vijim do të merret vendimi nga organet e partisë.
“Ne si parti politike jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike dhe hapim dyert për të gjithë njerëzit që janë staf cilësor, të ndershëm dhe të përkushtuar në punë, që duan të sjellin ndryshim në Komunën e Tetovës”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga ana tjetër ende nuk ka qëndrim konkret për këtë rast.
“Sapo kemi dalë nga procesi zgjedhor brenda partiak. Organet e partisë bashkë me kryetarin janë duke i shqyrtuar rrethanat që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Këshillin komunal, kur do kemi qëndrim konkret do të dalim para opinionit, do jeni të njoftuar”, thanë nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët (ASh) thotë se sapo të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor brenda partisë për degën e Tetovës, puna e parë që do e shqyrtojë kryesia e degës dhe organet qendrore të partisë do të jenë pikërisht zgjedhjet për Këshillin e Komunës së Tetovës.
“Situatën në Komunën e Tetovës e vlerësojmë si shumë serioze dhe me aq seriozitet po i qasemi këtij procesi zgjedhor. Mbetet shpresa e fundit për ta rikthyer Tetovën në normalitet dhe për ta zhvilluar më tej ashtu siç meriton një qytet universitar”, thanë nga ASh.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) edhe pse ka filluar procedurat për përpilimin e listave, thonë se të njëjtën ende nuk mund ta bëjnë publike.
“Sipas statutit të partisë, procedurat për përpilimin e listave të kandidatëve për këshilltarë dhe konsultimet brenda-partiake janë duke u zhvilluar, deri në përfundimin e procedurave, nuk mund të konfirmoj nëse do të mbesim me të njëjtën listë apo do të kemi ndryshime në të”, thanë nga LSDM.
Partia Alternativa (AAA) thotë se me çfarë liste a do të garojnë nuk është vendosur ende, por konsultimet për të njëjtën po vijojnë, si dhe kur të vendoset e njëjta do të publikohet.
“Hëpërhë ne nuk kemi marrëveshje koalicioni me asnjë subjekt politik dhe deri tash nuk kemi pasur bisedime për ndonjë koalicion të mundshëm. Ndonëse jemi të hapur për të biseduar, jemi të gatshëm që këtë garë ta bëjmë vetë dhe sigurisht të dalim shumë më mirë seç kemi qenë të përfaqësuar me listën e vitit 2021”, thanë nga AAA.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) për momentin prioritet e ka kongresin e partisë, për këshillin do vendosin pas 7 korrikut.
“Ne si PDSH jemi në fazë të riorganizimit të partisë në të gjitha degët dhe organizimit të kongresit që do të mbahet me 7 korrik në Tetovë, pas kongresit të partisë me zgjedhjen organeve të reja, do të niset menjëherë me përgatitjen e listës për këshillin komunal të Tetovës”, thanë nga PDSH.
Këshilli i Komunës së Tetovës përbëhet nga 31 këshilltarë. Në përbërjen e kaluar nëntë ishin nga BDI (në fillim u ishin dhjetë, por më pas një kaloi në Lëvizjen Besa), nëntë nga Lëviza Besa (në fillim ishin tetë, por më pas një nga BDI kaloi në LB), katër VMRO-DPMNE, dy ASH, dy LSDM, dy Më mirë për Tetovën, dy PDSH dhe një Alternativa.
Këshilli i Komunës së Tetovës do të shkojë në zgjedhe pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.
Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet për me 20 gusht i shpalli kryetari i Kuvendit.
Sipas KSHZ-së, inspektimi i listës zgjedhore do të fillojë me 1 korrik dhe do zgjas 10 ditë. Mbledhja e nënshkrimeve për listat e pavarura do të fillojë me 30 qershor dhe do të zgjas deri me 14 korrik. Dorëzimi i listave të kandidatëve për këshillin komunal duhet të dorëzohet më së voni me 15 korrik në ora 00:00. Fushata zgjedhore do të fillojë me 31 korrik ora 00:00 dhe do të zgjas deri me 18 gusht ora 00:00.