LajmeMaqedoni

A do të mbetet ASH-ja e vetmja parti shqiptare në Qeveri? Besa-AAA nuk duan të hyjnë, Grubi: Koalicioni me VMRO-në është vetëvrasje

Asnjëra prej partive opozitare shqiptare nuk do që ta zërë vendin e BDI-së në një qeveri të zgjeruar nëse kjo parti del në opozitë siç kërkon VMRO-DPMNE me qëllim që të japin mbështetjen për ndryshimet kushtetuese. Nëse BDI del, e vjetmja që mbetet për të përfaqësuar shqiptarët në Qeveri është Alelanca për Shqiptarët. Kreu i saj Arben Taravari thotë se ASH vendosi të hynte në qeveri për hir të procesit eurointegrues dhe do të dilte prej saj përsëri për hir të procesit integrues. Për të, një qeveri e zgjeruar dhe pa shqiptarët në të është shqetësuese.

 “Unë mendoj se në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur qeveri pa shqiptarët dhe nuk guxon përsëri të ketë qeveri pa shqiptarët. Ky është shqetësim jo vetëm i Arben Taravarit, jo i një shqiptari, por duhet të jetë shqetësuese edhe për një maqedonas. Unë besoj se nuk ka tendenca të atilla që të ketë një qeveri një nacionale, por them se i analizojmë rrethanat, i dëgjojmë të gjitha palët dhe do të dalim me qëndrim të unifikuar”, pohoi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Pyetëm edhe Lëvizjen Besa për krijim eventual të një situate të tillë, se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët në një qeveri ku nuk do të ketë parti shqiptarë. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Abdush Demiri tha se një qeveri politike pa shqiptarët nuk do të ketë, ndërsa nuk duan të analizojnë situata hipotetike të një qeverie të zgjeruar pa shqiptarët.

 “Nuk duam të analizojmë situate hipotetike, por nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh që të ketë qeveri politike e kam fjalën pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Do t’ia lëmë kohës për zhvillimet që do të ndodhin, nuk do t’i analizojmë të gjitha situatat hipotetike se si do të vijnë, varësisht prej situatave organet partiake kur do të vijë cështja për të vendosur do të vendosim”, theksoi Abdush Demiri, sekretar i përgjithshëm i Besës.

Nga Alternativa e Afrim Gashit thonë se përgjegjësia për mungesë të shqiptarëve në qeveri do të ishte e partive aktuale shqiptare që janë në pushtet.

“Ne nuk ndryshojmë pozicion. Duhet t’i pyesni ata qe janë ne qeveri e që thonë se do dalin në opozitë, sidomos ka prej tyre që hynë në qeveri madje për te votuar ndryshimet kushtetuese. Ne jemi në opozitë andaj kjo pyetje duhet të adresohet saktë, pra partive shqiptare në pushtet”, thonë nga Alternativa.

Sipas Artan Grubit nga BDI është normale që partitë shqiptare të mos duan të bashkëpunojmë me VMRO-DPMNE sepse kjo do t’i kushtonte në skenën politike.

 “Duke e ditur se kushdo që të koalicionojë me VMRO-DPMNE do të jetë eliminim politik, vetëvrasje nga cilado parti politike e shqiptarëve, të gjithë vrapuan dhe deklaruan se nuk do të pranonin çfarëdo ftesë për pjesëmarrje në qeveri të tillë mono-etnike. E para ishte Aleanca për Shqiptarët, pastaj doli Besa, tash të njëjtën gjë e dëgjoj sot edhe nga fraksioni dhe jam i bindur se të njëjtën gjë e bën edhe Alternativa”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Izet Mexhiti nga fraksioni i BDI-së tha se presin epilogun përfundimtar nga takimi i liderëve Kovaçevski-Mickoski e pastaj të deklarojnë qëndrimin e tyre.

Show More

Related Articles

Back to top button