LajmeMaqedoni

Lojë nervash me ndryshimet kushtetuese, VMRO: Pushteti të pranojë opsionet tona

Lojë nervash mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së mbi fatin e ndryshimeve kushtetuese. Opozita këmbëngul që pushteti duhet në mënyrë të prerë ta pranon njërin nga opsionet e ofruara. Sipas VMRO-DPMNE-së, mos deklarimi për njërin nga propozimet nënkupton se socialdemokratët po blejnë kohë për të shpëtuar BDI-në.

“Rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë është duke pranuar njërin nga propozimet që i ofron VMRO-DPMNE-ja. E para, Qeveri kalimtare pa BDI-në dhe ndryshime kushtetuese me fuqi suspenzive deri në anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Apo propozimi i dytë, zgjedhje në vjeshtë dhe pas kësaj cilado parti që është në opozitë t’i mbështesë hapat e Qeverisë para se të votohen ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Dafina Stojanovska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja vlerëson se Hristijan Mickoski ka pranuar t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese dhe e inkurajojnë që të mos ndryshon qëndrim. Partia më e madhe në pushtet sot i kujtoi Mickoskit të gjitha deklaratat kundër ndryshimeve kushtetuese.

“Pas takimit të liderëve, Mickoski doli me qëndrim ndryshe dhe kjo është për t’u përshëndetur. LSDM-ja e inkurajon VMRO-DPMNE-në që të mbetet në qëndrimin e sapo ndryshuar. E inkurajojmë Mickoskin dhe partinë e tij të mbeten në qëndrimin e fundit, të vazhdon dialogu dhe të gjithë së bashku të marrin përgjegjësinë e gjeneratës sonë dhe gjeneratave të ardhshme. Bashkë ta sigurojmë të ardhmen Evropiane”, tha Darko Kaevski, Deputet i LSDM-së.

Pendarovski duke komentuar zhvillimet politike në vend, iu dha të drejtë dyja subjekteve nga blloku politik maqedonas. Kreu i shtetit u shpreh optimist për tejkalimin e situatës, por nuk e la pa i kujtuar opozitës konstatimet se “kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat për të votuar ndryshimet kushtetuese”. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button