LajmeMaqedoni

Seancë publike në Gjykatën Supreme për “Monstrën”

Në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut mbahet seanca publike për rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Më 17 maj Supremja e anuloi seancën gjyqësore pasi që avokatët e të dënuarve të rastit “Monstra”  kërkuan që të tërhiqen gjyqtarët Safet Kadrii dhe kryetarja e Këshillit Gjykues në Supreme, Cvetanka Periq, pasi që ata kanë qenë në trupin gjykues për rastin e përleshjes me armë zjarri në një fermë në Belimbegovë gjatë vitit 2009, në të cilin është i dënuar Fejzi Aziri.

Gjykata tha se do ta shqyrtojë rastin dhe më pas do të sjellë vendim.

Pas mbarimit të seancës, avokati Naser Raufi deklaroi se presin që të tërhiqen dy anëtarët, pasi që kanë vendosur për një lëndë e cila është segment i rastit “Monstra”.

“Sipas Ligjit për Procedurë Penale këto dy anëtarë nuk duhej të ishin pjesëmarrës edhe në seancën e sotme publike. Presim që këto dy anëtarë të tërhiqen dhe të zëvendësohen me të rinj, pasi që tema e rastit të Fejzi Azirit është segment i këtij rasti, për shkak se përmendet se gjoja është gjetur gëzhoja në fermën Belimbegovë e cila gjoja është përdorur në këtë rast”, tha avokati Raufi.

Në seancën e nëntë të rigjykimit para Gjykatës Penale të Shkupit, të mbajtur më 19.10.2018 në seancë dëshmuan ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët  i elaboruan ekspertizat e bëra për baltën e gjetur në veturën Opel Omega dhe gëzhojat e mbetura nga të shtënat në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012

Krim-tekniku Nexhat Muriq, i cili e ka kryer ekspertizën e armatimit, deklaroi se nga materialet që ia kanë dorëzuar për ekspertizë, del se në Liqenin e Smillkovës është gjuajtur me disa lloje të armëve, ndërkaq analiza ka treguar se njëra prej gëzhojave të gjetura në Liqenin e Smillkovës është e ngjashme me njërën nga gëzhojat që është gjetur në vitin 2009 në Belimbegovë, për të cilin rast, i dënuar është, Fejzi Aziri.

“Në laboratori na kanë ardhur 21 gëzhoja, 8 projektile dhe dy pjesë të projektileve. Sipas analizës, 13 gëzhojat janë shtënë nga pushkë 7.62 milimetra (të cilat mund të jenë Kallashnikovë, automatik dhe gjysmë-automatik, dhe 8 nga pistoletë 9 milimetra. Njëra prej gëzhojave që është gjetur në Liqenin e Sillkovës është e ngjashme me njërën prej gëzhojave që është gjetur në vitin 2009 në fermën Belimbegovë”, tha Muriq.

Ndaj kësaj ekspertize pala mbrojtëse ka reaguar pasi që sipas tyre, ekspertët nuk kanë dalë vetë në terren që t’i marrin mostrat, ndërkaq gjithashtu problematike është edhe gëzhoja e cila theksohet se është e ngjashme me atë në Belimbegovë.

“Sot jemi dëshmitarë se rasti “Monstra” nuk është montuar nga MPB vetëm me dëshmitarin e mbrojtur dhe automjetin, por edhe me kryerjen e ekspertizave të dheut dhe armës e cila është shfrytëzuar në Liqenin e Smillkovës. Është dyshuese mostrat e dorëzuara, gjegjësisht gëzhojat nuk dihet se kush i ka dorëzuar për ekspertizë në MPB, me çka ngritet dyshim se gëzhojat se gëzhoja kontestuese për të cilin thonë se është i ngjashëm me atë të Belimbegovës është futur nga MPB. Nga ana tjetër, në fotografinë numër 13, ku ka tre gëzhoja në një vend, nuk është e mundur që dy të mos jenë të njëjtë me ato të Liqenit të Smillkovës, ndërkaq njëri të jetë i njëjtë. Këtu paraqitet dyshimi se njëra nga gëzhojat është nxjerrë nga depoja e MPB-së dhe është vendosur me të tjerët”, tha asokohe avokati Naser Raufi.

Raportimin e plotë të Portalb.mk për seancën në fjalë mund ta gjeni: “Monstra”, ekspertët mostrat nga dheu dhe gëzhojat nuk i kanë marrë nga terreni, por ua kanë dhënë në laboratori

Rikujtojmë që në vitin 2017-të, Gjykata Supreme e riktheu në shkallë të parë lëndën, pasi i pranoi ankesat e palës mbrojtëse.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë gjatë rigjykimit, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Show More

Related Articles

Back to top button