Në konferencën për medie pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri Kurti përmendi zotimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi me NATO-n, që ushtria e Kosovës nuk mund të hyjë në pjesën veriore të vendit.
Ai iu përgjigj pyetjes se a ka siguri të mjaftueshme në zonat e thella kufitare me shtetin serb, duke thënë se ushtria e ruan kufirin, teksa Kosova atje ushtri nuk mund të dërgojë dhe kjo është çështje ekskluzivisht e KFOR-it.
“Ushtria e ruan kufirin, e ushtria aty është KFOR-i. Para 10 vjetëve, ish-kryeministri Thaçi pat dërguar shkresën që ushtria e Kosovës nuk e kalon lumin Ibër. Ne nuk kemi ushtri atje për shkak të këtij zotimi. Atje është KFOR-i si ushtri dhe kufirin e ruan ushtria. Ne e bëjmë maksimumin por ushtria ka kompetencë ta ruaj kufirin”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se ajo pjesë e kufirit me Serbinë është e madhe dhe e vështirë, dhe asnjëherë policë të mjaftueshëm atje nuk do ketë.