Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar mëngjesin e së enjtes për arrestimin e tre policëve të Policisë së Kosovës për të cilët Prishtina zyrtare thotë se janë rrëmbyer nga forcat serbe.
Begaj e cilëson ngjarjen akt të rëndë provokativ, që synon destabilizim, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit.
“E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme”, shkruan Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar i bëri thirrje Kosovës që të mos bjerë pre e provokimeve, por të kontriubojë për uljen e tensioneve.
“Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, thotë Presidenti i Shqipërisë.
Një ditë më parë reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili iu përgjigj kritikëve në rrjetet sociale për mungesën e një reagimi nga e tij në lidhje me këtë ccështje.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe mban të njëjtën linjë me ta, për të pritur fjalën e KFOR-it, që po heton rastin dhe nga ana tjetër i qëndron kërkesës për de-eskalimi imediat të situatës.
Kryeministri i Shqipërisë anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tha se kishte kërkuar një takim në një format më të ngushtë me homologun kosovar, Albin Kurti.
Ai tha se mbetet në pritje të reagimit të Kurtit për një takim mes tyre, ndërsa paralajmëroi se “një plan i frikshëm sanksionesh është gati për t’u zbatuar ndaj Kosovës”.
Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.
Këto zhvillime shihen si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.