LajmeRajon

Shisnin kokainë në zonën e plazhit të Durrësit, në pranga 3 të rinj

Uniformat blu kanë goditur një grup të organizuar të shitjes së lëndëve narkotike, falë operacionit të koduar “Periudha”.

Mësohet se grupi vepronte duke shitur doza kokaine në zonën e plazhit në Durrës, ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 shtetas.

Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi lënde narkotike e ndarë në dhjetëra doza gati për shitje, si edhe një peshore elektronike dhe 3 celularë.

“Në kuadër të intensifikimit të kontrolleve dhe aksioneve të Policisë në zonën bregdetare të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe si rezultat i një hetimi njëmujor me metoda proaktive, të iniciuar nga Policia e Durrësit dhe të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Periudha”.

Në bazë të provave të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga shtetasit R. L., 21 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (kushërinj), të dy banues në Arapaj, Durrës, si dhe shtetasin E. M., 22 vjeç, banues në Xhavzotaj, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas vepronin në formën e një grupi, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza, të lëndës narkotike kokainë, në zonën e plazhit të Durrësit. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe 3 celularë”, tha policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Show More

Related Articles

Back to top button