Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha i konsideron të turpshme zhvillimet e sotme në kampin MEK në Manzë të Durrësit, ku një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Berisha i ka bërë thirrje OKB-së dhe Kongresit të SHBA, të hetojnë këtë ngjarje tragjike dhe të dhunshme.
“Edhe një herë, i bëj thirrje OKB-së, Kongresit të SHBA, i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, institucioneve që merren me refugjatët, të ndërmarrin një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike të turpshme, plotësisht të shmangshme. Krejtësisht të pajustifikueshme që turpëron Shqipërinë, që dhunon në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare për refugjatët dhe ligjet e vendit”- tha Berisha.
Një terr informativ ka mbi atë çka ndodhi saktësisht në kampin e MEK mesditën e sotme.
Më herët u raportua se Policia e Shtetit ka hasur në rezistencë nga banorët brenda kampit MEK, gjatë ushtrimit të kontrolleve me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa zëdhënësi i shtypit të kampit Ashraf, Shahriar Kia njoftoi se njëri prej banorëve mbeti i vrarë nga përplasjet. Policia ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar mbi këto pretendime, ndërsa Ministria e Brendshme tha se “në kamp pati rezistencë kundër policisë dhe se s’ka humbje jete”.