LajmeRajon

Edhe LDK refuzon takimin me Presidenten

Ashtu si PDK-ja, edhe LDK-ja me në krye Lumir Abdixhikun i ka thënë “JO” ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim me liderët e partive kryesore politike në vend.

Në letrën që Abdixhiku ia ktheu Presidentes thuhet se pa marrë ajo pozicion kritik ndaj popullizmit të kryeministrit Kurti, LDK nuk mund ta pranojë ftesën e saj për takim.

“Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë ende këtë pozicionim nga ana juaj; dhe në rrethanat e tanishme Kosovës i duhet jo një zë i mesit, por një zë i qartë, që dërgon vetëm në një drejtim; atë euro-atlantik, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, në ballafaqim të suksesshëm me qëllimet agresive të Serbisë. Si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jem i gatshëm t’ju takoj, në një rast tjetër, nëse për qëllim të vetëm kemi artikulimin e qartë dhe publik të përkrahjes së pa rezervë ndaj aspiratës euroatlantike të institucioneve tona, dhe refuzimin e politikave përplasëse e izoluese të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Ai theksoi në letër se partia që ai drejton, nuk mund të tolerojë “përplasje” të tilla me ShBA-të.

“Ndërmjet shkëputjes nga orientimi kushtetues i Kosovës për integrim euroatlantik, si e barabartë mes popujve evropiane dhe e barasvlershme në aleancën ushtarake të NATO-s apo izolimit tonë kombëtar, nuk mund të kërkojmë mesin”, ka shkruar Abdixhiku në letrën për Presidenten Osmani.

Takimi i presidentes Osmani me liderët e partive kryesore politike në vend, ka ardhur si pasojë e propozimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili raportohet se do takohet me Presidenten me fillim nga ora 17:00./Arbresh.info

Show More

Related Articles

Back to top button