Edhe pak muaj kanë mbetur nga fillimi i finaleve të Botërorit të Katarit.
Për herë të parë në histori botërori i radhës do të luhet në dimër, një periudhë e pazakontë që do të shkaktojë edhe ndërprerjen e kampionateve.
Për shkak të periudhës kur do të luhet dhe faktit që vetëm 5 ditë para startit futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre, FIFA ka vendosur të miratojë kërkesën e përfaqësueseve për të rritur numrin e lojtarëve të grumbulluar.
Dihet që pjesëmarrja në një botëror është ëndërr për çdo futbollist, kështu që me dhjetra lojtarë do të bëhen pjesë e emocioneve të jashtëzakonshme të botërorit, falë këtij vendimi.
Çdo skuadër do të ketë mundësi të marrë me vete 26 futbollistë në Katar, nga 23 që ka qenë numri i lejuar më parë, ndërsa lista e grumbullimit paraprak do të lejohet të jetë 55 futbollistë, nga 33.
Si një ndryshim në Katar 2022 do të aplikohet rregulli i zakonshëm tashmë, i 5 zëvendësimeve për ndeshje.