LajmeRajon

Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut më 4 korrik në Kosovë, tema diskutimi liria e mediave dhe veriu

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fillim të muajit të ardhshëm.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Qeverisë holandeze, ku thuhet se Rutte do të shoqërohet nga homologu i tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel.

Temë diskutimi do të jetë situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe liria e medias.

“Kryeministri Rutte do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën të hënën, më 3 korrik dhe të martën më 4 korrik së bashku me kryeministrin e Luksemburgut, (Xavier) Bettel. Vizita ofron një mundësi për të diskutuar tensionet e ngritura mes Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë për depërshkallëzim dhe përkushtim ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizim të raporteve”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv.

Sipas agjendës, Rutte dhe Betteli më 4 korrik do të qëndrojnë në Kosovë, ku do të takojnë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti nga krerët e shtetit, me të cilët do të diskutojnë, “mes të tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

“Vizita do të përfundojë me një bisedë me përfaqësues të OJQ-ve në Kosovë në fushën e lirisë të mediave dhe LGBTIQ+”, thuhet në njoftim.

Ka disa ditë që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka marrë vendim për shfuqizim të certifikatës biznesore të Klan Kosovës SHPK. Mbrëmë ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se është duke e përcjellë nga afër këtë zhvillim, duke u shprehur i bindur se veprimtaria e Klan Kosovës do të vazhdojë, e papenguar.

Veç ambasadorit, të shqetësuar janë shprehur edhe shumë kolegë të tij diplomatë të akredituar në vendin tonë, por edhe organizata vendore e ndërkombëtare që merren me lirinë e shprehjes.

Show More

Related Articles

Back to top button