Në kuadër të turit ballkanik, kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama, u ndal sot në Bosnjë-Hercegovinë, ku mbajti dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.
Ai tha se me kryeministren kishte biseduar edhe rreth samitit që do të zhvillohet në tetor në Tiranë, duke thënë se 6 vendet do të kërkojnë të kenë një mbështetje më të madhe financiare nga BE-ja.
Rama tha gjithashtu se së shpejti Shqipëria do të ketë ambasadën e saj në Bosnjë-Hercegovinë.
“Në radhë të parë e urova kryeministren për konsensusin e ndalimit të duhanit në këtë godinë dhe uroj që ky të jetë një shembull se si të gjitha vendimet kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të zbatohen. Ne jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë”, tha Rama.
“Këtu jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen shumë mirë të them se ky komunitet i ka ta garantuara të drejtat e veta fetare, gjuhësore, e të drejtat të cilat i ka të miratuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vendet e tjera dhe unë jam shumë i interesuar që marrëveshja e Berlinit e për më tepër lëvizja e lirë me karta identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës duhet të zbatohet”, shtoi Rama.
“Unë dëshiroj të besoj se sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë-Hercegovina do e bëjë. Nga ana tjetër erdha këtu për të informuar kryeministren për të informuar mbi atë që ne duam të bëjmë për procesin e Berlinit në tetor në Tiranë dhe se si ne duam ta shfrytëzojmë samitin e Tiranës si një samit ku do të marrë jetë plani i një financimi të ri nga BE për këto 6 vende”, tha kryeministri.
“Ne e mirëkuptojmë mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për krahasime, por është e domosdoshme që edhe me 6 vendet tona në Ballkanin perëndimor të ndërtohet një qasje e re”, tha ai.
“Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë apo të na vijë ndonjë agresor për të marrë më shumë mbështetje. Bashkimi Evropian duhet të na mbështesë edhe më shumë duke na dhënë provën se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të ndërtuar paqe shpërblehet, se vullneti për të lënë pas të shkuarën e për të parë të ardhmen shpërblehet”, tha kryeministri Rama. /Telegrafi/