Kanë nis punimet për rregullimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit të Mitrovicës, rrugë kjo e cila ka një gjatësi deri 1.7 kilometra dhe do të parandalojnë pluhurin, gropat dhe vërshimet, që për shumë vite kanë ndodhur në këtë vend.
KosovaPress ka raportuar më herët për gjendjen e rëndë të rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Lah Nimani”, në qendër të qytetit. Ndërsa, rregullimi i saj kap vlerën prej 1.3 milion euro.
Banorët e kësaj lagjeje u shprehën jashtëzakonisht të lumtur, derisa vlerësuan angazhimin e komunës në rregullimin e rrugëve në këtë zonë, në të cilën jetojnë mbi 800 familje me rreth 5 mijë banorë.
Xhelal Lushta, banor i rrugës “Ali Zeneli”, në Mitrovicë, duke folur për KosovaPress, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për fillimin e punimeve.
Sipas tij, kjo lagje është më e dendura me popullatë në qytetin e Mitrovicës, ndërsa më e lënë pas dore.
‘I lumtur e i shashtrisur pasi filloi puna. Tash unë akoma nuk po besoj se ka filluar qysh duhet… Që 12 vjet jemi duke u ankuar për këtë rrugë… Janë 770 familje me mesatare nga pesë anëtarë. Është lagjja më e dendur në Mitrovicë, ndërsa më e lënë pas dore’, ka thënë Lushta.
Mehmet Haziri, një banor tjetër i kësaj rruge, ka treguar për peripetitë që kanë përjetuar në të kaluarën, por edhe dëmtimin e automjeteve për shkak të gropave të shumta.
‘Për rrugën jemi të lumtur se ka nis me u punu…Rruga ka qenë katastrofë, baltë, një shi me ra s’mujshim me dalë…Kemi pasur probleme me automjete, ka pasur gropa, automjetet prekshin, u dëmtojshin’, tha ai.
Destan Hoti, shpreson që punimet të mos zgjasin shumë dhe të përfundojnë sa më shpejtë.
“Për që kanë nisur punimet jam shumë i lumtur, ndoshta kryhet sa më shpejtë, por zakonisht te ne zgjatë shumë”, tha ai.
Ndërkaq, edhe Selman Peci, banor i rrugës “Lah Nimani”, nuk e fsheh gëzimin për fillimin e punimeve, duke thënë se përkundër vonesës, ‘më mirë vonë se kurrë’.
‘Gjendja ka qenë katastrofë deri në këtë moment. Jemi gëzuar që kanë filluar punimet, më mirë vonë se kurrë hiç. Jemi të kënaqur edhe pse po kemi probleme për parking, por më mirë që kanë filluar tash, sesa me prit edhe 5-6 vjet ose deri në zgjedhjet tjera’, theksoi Peci.
Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se ky projekt që ka gjatësinë prej 1.7 kilometra, kap vlerën prej 1.3 milion euro dhe do të përfundojë deri vitin e ardhshëm.
Sipas tij, këto punime do të ndikojnë jashtëzakonisht në zhbllokimin e qytetit, duke mundësuar që qytetarët, sidomos të Zhabarit, pastaj Iliridës dhe lagjeve tjera, të kenë qasje më të lehtë në qendër, përmes këtyre rrugëve.
‘Jemi në procedurë të përgatitjes së terrenit për punimin e kanalizimeve dhe kanaleve për rrjetin nëntokësor… Kemi me arritë me përfundu deri në vitin tjetër që kjo rrugë me qenë e kalueshme… Si projekt kap shifrën rreth 1.3 milion, dhe parashihet të vazhdojë deri te Universiteti “Isa Boletini”… Shkon deri në 1.7 kilometra, rrugë me katër korsi do të thotë që lidhë dhe zhbllokon komplet qytetin… Ka me qenë një lehtësim shumë i madh për qytetin e Mitrovicës, sidomos për zonën e Iliridës, Zhabarit, të cilët… kanë me pas më lehtë me u kyç në qendër të qytetit përmes rrugës ‘Ali Zeneli’, theksoi drejtori Tërnava.