LajmeRajon

BE-ja i kërkon Konjufcës ta çojë në Venedik draft-ligjin e ri për KPK-në

Shefi i Zyres së BE-së për Kosovë, Tomas Szunyog, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që sërish ta dërgojë për konsultim në Komisionin e Venedikut, draft-ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ai ka shprehur gatishmërinë që edhe zyra e BE-së ta ndihmojë me komente dhe asistentë teknike Kuvendin e Kosovës, transmeton Paparaci.

“Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venedikut dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar”, thuhet në letrën e Szunyog.

Më 12 korrik, Qeveria e Kosovës mori vendim për plotësim ndryshim të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Propozimin para anëtarëve të kabinetit qeveritar e kishte bërë ministra e Drejtësisë , Albulena Haxhiu, e cila thoshte se propozojnë që anëtarë permanentë të këshillit të jenë 7 anëtarë prej të cilëve, tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

“Kjo është tentativa e dytë edhe pse ligji i kaluar kishte marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias. Fatkeqësisht Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë të pavlefshëm dhe ne kemi analizuar me kujdes vendimin e Kushtetueses dhe kemi adresuar gjetjet kryesore përmes versionit të ri të projektligjit”, shprehej Haxhiu.

“Pasi që përbërja prej shtatë anëtarëve nuk mund të zbatohet menjëherë marrë parasysh që një pjesë e madhe të anëtarëve të prokurorëve të këshillit, mandati ju skadon tek në vitin 2026 dhe Kushtetuesja i ka vendosë disa limite”.

E sipas Këshillit Prokurorial të Kosovës, miratimi i këtij ligji minon bashkëpunimin për procesin e reformës dhe është dashur të realizohet në kohën e duhur.

“KPK-ja, deklaron me bindje se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Në muajin mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, e cila ishte ushtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, vitin e shkuar.

Sipas Kushtetueses, disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji për KPK-në ishte miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar. Ndërkohë, në lexim të dytë i njëjti u miratua në qershorin e 2022-s.

Show More

Related Articles

Back to top button