GostivarLajme

Vardari rrezikon të mbetet pa peshq !

Dita e katërt që në shtratin e lumit lumit “Vardar” në Gostivar duken vetëm gurët e tij, pasi uji është ndalur e arsyeja nuk dihet. Kjo gjë bën që persona të ndryshëm ta shfrytëzojnë momentin për të peshkuar, ndërsa peshqit mund të shihen me sy të lirë. Për situatën e krijuar kanë reaguar nga shoqata sportive e peshkatarëve “Bash Vardar” në Gostivar, e cila është koncesionere e lumit Vardar.

Enes Sejdini, kryetar i kësaj shoqate, për situatën e krijuar ku vendoset në rrezik çdo gjallesë nënujore, gishtin e drejton kah hidroelektranat e vendit.

“Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV), e ndalojnë ujin pa informuar dhe kjo ndodh vite me radhë. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi sepse dëmi i shkaktuar vetëm tani shkon deri në 250.000 denarë. Për rastin në fjalë e kemi njoftuar Prokurorinë dhe Inspektoratin si në nivel shtetëror, ashtu edhe në nivel lokal. Do ju bëja apel qytetarëve, më saktësisht peshkatarëve të shoqatës që mos ta keqpërdorin këtë gjendje kur ‘Vardari” është pa ujë. Kjo situatë nuk duhet të keqpërdoret as nga ata që kanë leje peshkimi e as nga ata që nuk e kanë një të tillë”, deklaron Enes Sejdini, kryetar i “Bash Vardar”.

Sejdini tha se i janë drejtuar EMV-së, por kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

“Uji është i ndaluar gati katër ditë dhe përgjigje nuk kemi marrë pse është ndaluar uji, por gjithësesi presim përgjigje adekuate nga institucionet përgjegjëse për këtë gjendje”, deklaron Enes Sejdini, kryetar i shoqatës së peshkatarëve “Bash Vardar”.

Kohë më parë shoqata “Bash Vardar” ripeshkoi lumin “Vardar” me 200 kilogram peshk. Sejdini thotë se shtimi i peshkut do jetë i pamundur, nëse nuk merren masa në kohë.

“Ne kemi ekip adekuat për mbrojtjen e peshqve, por nuk kemi ekip adekuat për ripeshkim”, deklaron Enes Sejdini, kryetar i shoqatës së peshkatarëve “Bash Vardar”.

Ai ka ftuar adhuruesit e sportit të peshkimit, dhe qytetarët e tjerë mos e keqpërdorin këtë situatë derisa gjendja me ujin në lumin “Vardar” t’i kthehet normaliteti.

Show More

Related Articles

Back to top button