LajmeMaqedoni

Tortevski: Porosia e Aggelerit ishte e qartë, institucionet të veprojnë menjëherë

Deklarata e ambasadores amerikane, Angela Aggeler se institucionet duhet të veprojnë dhe të ndëshkojnë të gjithë personat e përfshirë në korrupsion, sipas ekspertëve juridik janë mesazh i qartë se SHBA-të janë vendosur për të vazhduar me përkushtimin e tyre kundër krimit dhe korrupsionit andaj edhe institucionet duhet të veprojnë. Avokati Aleksandar Tortevski thotë se institucionet në vend janë të vetëdijshme për gjithçka që porositi ambasadorja e SHBA-së por bëhen sikur nuk dinë gjë.

“Më Maqedoni kur flitet për krim të organizuar, unë vazhdimisht përsëris se nuk ka krim të organizuar në kuptimin e mafieve siç nënkuptohet. Por krim të organizuar bën çdo strukturë e Qeverisë derisa është në pushtet. Do të thotë i shfrytëzon të gjitha institucionet, policia nuk i ndjek, mbyll sytë, zakonisht ndiqen përfaqësues të opozitës për ndonjë vepër penale nëse nuk mund të merren vesh për diçka, ose nuk mund ta paguajnë reketin”, deklaroi Aleksandar Tortevski, ish-gjykatës.

SHBA-ja më 19 korrik e futi në listën e zezë biznesmenin Jordan Orce Kamçev, “për përfshirje në aktivitete korruptive. Më 18 korrik në listën e zezë u përfshi edhe një kompani maqedonase e dyshuar për veprimtari spiunazhi duke shfrytëzuar hapësirën kibernetike për të fituar qasje në sistemet e informacionit. Më 20 qershor SHBA-ja e vendosi në listën e zezë edhe kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Gjendjen e mosfunksionimit të shtetit kundër krimit dhe korrupsionit, sipas avokatit Tortevski më së miri e dëshmojnë edhe raportet ndërkombëtare, ku besimi i qytetarëve tek institucionet është minimal, e sidomos në ato të gjyqësorit.

“Asgjë nuk është për tu habitur kur keni njerëz të cilët japin provimin e jurisprudencës ende pa e kryer fakultetin dhe bëhen gjykatës, prokuror, njerëz jo kualitativ, jo profesional, të korruptueshëm sepse me korrupsion bëhen gjykatës. Nuk kemi çka të flasim, jo cilësia në fund nuk sjell cilësi, njerëz pa integritet të cilët kanë lutur që të bëhen gjykatës dhe më pas është normale që do të sjellin vendime të këqija. Gjithçka është e lidhur, në polici pranohen njerëz të afërt me krimin, është e qartë se ata do e keqpërdorin pozitën për qëllime të tyre. Ky është rreth i mbyllur nga i cili nuk mundemi të dalim vetëm, definitivisht nëse duam të bëjmë shtet patjetër këto duhet t’ia dorëzojmë ekspertëve nga Evropa dhe Amerika, qoftë edhe nga Koreja e Jugut ose Tajvani, nuk kam asgjë kundër, kushdo qoftë sepse ne nuk mundemi”, tha Aleksandar Tortevski, ish-gjykatës.

Në hetimin e fundit të bërë nga “Barometri Ballkanik”, Maqedonia e Veriut është liderë në Ballkan për mosbesimin e qytetarëve në institucionet e shtetit, sidomos në atë të gjyqësorit. Në vitin 2022 mosbesimi i qytetarëve në gjyqësor është rritur për 10% më tepër krahasuar me një vit më parë dhe më shumë se 82% e qytetarëve janë deklaruar se nuk u besojnë gjykatave dhe prokurorive në vend. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button