LajmeRajon

Zyrtari i lartë amerikan: Askush në SHBA s’e ka përkrahur Kurtin në politikat e tij në Veri, qasja e tij e pamatur dhe e rrezikshme dëmtoi seriozisht raportet

Ishte nëntori i vitit 2022 kur Albin Kurti në konferencë për media po e akuzonte një gazetar se ai nuk e ka kuptuar çfarë saktësisht ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, prandaj edhe pyetjen po e shtronte gabim si pasojë e këtij keqleximi.

Ned Price në konferencë për media kishte thënë se Qeveria e Kosovës nuk po e dëgjonte SHBA-në as në kërkesat publike e as në ato private, për çështjen e implementimit të vendimit për targat ilegale, por e përcjellur kështu nga gazetari te Kurti, ai tha “s’di kush po ua lexon këto deklarata, sepse s’po besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu”, duke shtuar se “jemi në kontakt e në komunikim të vazhdueshëm me ta”.

Kurti këtu po fillonte një nga konspiracionet zyrtare më të sofistikuara të kohëve të fundit.

Duke bërë të kundërtën e atyre që vazhdonin t’ia kërkoni aleatët, por duke insistuar se ai është në koordinim të vazhdueshëm me ta, filloi të qarkullonte një tregim se si “dikush”, “dikush shumë i madh”, i thotë Kurtit fshehurazi “mbaj këtë kurs”, derisa në publik mirëmbahet kundërshtimi.

Aq shumë do servohej konspiracioni, saqë Kosova do paralajmërohej për sanksione për shkak të mos-koordinimit e më pas edhe do të vendoseshin masa shtrënguese në nivele të ndryshme nga SHBA-të e Bashkimi Evropian, por ushqyer edhe nga komponentë afër Kurtit, një numër i madh njerëzish do vazhdonte ta besonte shpjegimin se “dikush i madh po i thotë vazhdo”.

Duke komentuar pikërisht këtë linjë fiktive, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka thënë Albanian Post-it se “as s’ka, as nuk ka pasur asnjëherë diçka të tillë si koordinimi fshehtazi”.

“Askush në Uashington apo në ndonjë kryeqytet tjetër perëndimor s’i ka thënë kryeministrit Albin Kurti, apo inkurajuar në mënyrën indirekte, që të ndjek një kurs veprimi që vë Kosovën në kundërshtim përplasës me aleatët e vet kryesorë”, ka thënë zyrtari i DASH-it derisa fliste për Albanian Post mbi rrëfimin që i qëndron paralel atij zyrtar dhe nami i të cilit ka mbërritur në Uashington.

“E kundërta është e vërtetë, ne jemi të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës që s’i mori parasysh këshillat e aleatëve kryesorë”.

Gjëegjëzat për një koordinim prapa perdes vazhduan edhe kur dallimet në publik u rriten më shumë se kurrë, si atëherë kur Qeveria vendosi befasishëm të dërgonte me shoqërimin e policisë katër kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, për ta ushtruar detyrën nga atje.

Kundërshtimi i serbëve lokalë çoi në protesta të dhunshme, të udhëhequra kryesisht nga bandat që operojnë në Veri.

QUINT-i dhe Bashkimi Evropian e bën përgjegjëse Kosovën për eskalimin, duke e quajtur të panevojshëm veprimin dhe kërkuar tërheqje, por përkundër kundërshtimit publik Kurti vazhdonte të thoshte se koordinimi me aleatët është i shkëlqyeshëm, veçanërisht me SHBA-të.

“Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë raporte të shkëlqyeshme bilaterale dhe kudo në arenën ndërkombëtare”, tha para gazetarëve me 1 qershor, në apeksin e kundërshtimeve ndaj veprimeve të tij pikërisht nga Amerika.

Si për ta demantuar, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin dhe i angazhuari në dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, do mbante një takim të pazakontë me gazetarë të Kosovës ku do lejohej audio-incizimi e ku ai shpreh se Kurti i befasoi krejtësisht me veprimin e tij.

“Po shohim se po merren vendime pavarësisht partneriteti tonë, ky është një lloj sinjali për ne, nuk mund ta pranojmë. Jemi krejtësisht të hutuar ne dhe aleatët tanë se përse po ndodhë kjo. Pse kjo mungesë koordinimi, kjo mungesë fleksibiliteti dhe mungesë e vizionit politik”, tha në atë takim Escobar.

Ai pati shtuar se ky qëndrim nuk është vetëm i SHBA-ve.

“Është i gjithë komuniteti transatlantik, nuk jemi vetëm ne, as vetëm 27 shtetet e BE-së, e as vetëm Mbretëria e Bashkuar (por, i gjithë komuniteti transatalntik). Ne i shohim gjërat njëjtë”.

Ky adresim i Escobar vinte pas një takimi që kishte pasur me Kurtin e me ndërmjetësuesin e dialogut nga BE, Miroslav Lajçak, ku s’ishin marrë vesh për zgjidhje të përbashkët.

Escobar ishte ngutur të thotë edhe se “ne qëndrojmë me njerëzit e Kosovës, por s’kemi pse qëndrojmë me një individ që s’do të bashkëpunojë”.

Sinqeriteti i Escobar s’do t’i ndryshonte asgjë situatës, derisa brenda një seti të ngjashëm do të fliste edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ku u tha ajo që s’paramendohej – SHBA po vendoste për herë të parë masë ndëshkuese – largimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan “Defender Europe 23”, pasi ishin përgatitur 2 vjet rresht për pjesëmarrje.

Edhe kjo do minimizohej, njëjtë si masat për ndalimet e programeve financiare për Kosovën nga BE, duke luajtur me idenë se përkundër linjës zyrtare, ekziston diku dikush që po i thotë Kurtit të vazhdojë.

Te përkrahësit e Qeverisë besimin në këtë tregim fiktiv do ta rriste shumë edhe një deklarim i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili në një moment kishte thënë se ndërkombëtarët e përkrahin fshehtazi Kurtin dhe ai po i bën lëvizjet në Veri me mbështetjen e tyre.

Normalisht, kjo s’ishte e vërtetë.

Madje, në përgjigjen e zyrtarit të DASH-it për Albanian Post, e gjithë kjo situatë në Veri, e cila përkundër disa aranzhimeve, akoma qëndron brenda një tensioni konstant, “seriozisht ka afektuar raportet (SHBA – Kosovë)”,

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.

“Zhvillimet në Ukrainë veçse e kanë bërë më vital këtë interes. Në vend se të punojë me aleatët e vet dhe të veprojë si një partner i besueshëm, Qeveria e Kosovës vepron pakoordinim, sikur dikush që do mund të menaxhonte situatën pa nevojën e partnerëve. Kjo është e pamatur dhe e rrezikshme”.

Kjo s’është hera e parë që një kryeministër i Kosovës krijon përrallen alternative ndaj realitetit. Ramush Haradinaj kur ishte kryeministër dhe i gjithë kori diplomatik po e thërriste të hiqte dorë nga taksa 100 për qind për mallrat serbe, madje edhe duke i ofruar liberalizimin e vizave si kundërvalutë, ai kishte refuzuar të gjithë pikërisht me tregimin në prapaskenë se është dikush i rëndësishëm nga ndërkombëtarët që po i thotë ta mbajë.

Askush, as bashkëpunëtorët e tij të afërt, as Haradinaj vetë, nuk di të tregojë cili qe ai person që e çoi përfundimisht drejt humbjes së pozitës së kryeministrit e më pas edhe zgjedhjeve të cilat do t’i garonte me sloganin “100% shtet”.

Taksa do hiqje dhe do hiqje pa asgjë në këmbim.

Edhe në situatën e fundit, pas më shumë se një muaji paqartësi, Kosova ka pranuar të bëjë hapat e parë drejt de-eskalimit, duke aprovuar kërkesën për reduktim të numrit të policëve në dhe përreth objekteve komunale në Veri dhe gjithashtu dhënë pajtimin për zgjedhje të reja në vjeshtë – gjithçka pa u plotësuar kushtet që kishte vendosur paraprakisht; një nga më të rëndësishmit, largimin e anëtarëve të grupeve kriminale nga Veriu.

E gjithë situata e krijuar në Veri të Kosovës dhe tensioni i vazhdueshëm ka lënë në hije zhvillimet tjera në Kosovë. Punësimet familjare, partiake, keqpërdorimet institucionale, tenderët e kundërligjshëm, kontratat korruptive njëburimore, mungesa e raportimeve parlamentare, rrugët e asfaltuara që dëmtohen pas pak ditësh nga cilësia e dobët e punimeve, mungesa e investimeve, gurthemele të çerdheve që nuk ndërtohen kurrë, largimi i mijëra të rinjve drejt Evropës Perëndimore e të ngjashme si këto, më nuk futen në radarin e interesit publik më – gjithçka për shkak të “tensioneve” që mirëmbahen në Veri.  /Albanianpost.com

Show More

Related Articles

Back to top button