LajmeRajon

Kurti pyetet për gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Unë besoj në pafajësinë e tyre, vrasësit serikë shëtisin lirshëm në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për njërën nga gazetat më të lexuara kroate “Veçernji List”, duke komentuar procesin gjyqësor që ka nisur kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës në Hagë të Holandës, ka thënë se beson në pafajësinë e tyre, ngase siç tha, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre”, ka thënë kryeministri Kurti në këtë intervistë.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se bashkësia e organizuar ndërkombëtare duhet të kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë, derisa 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët lëvizin të lirë.

“Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1 përqind e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar ndër të tjera ai.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shpalosur aktakuzën kundër ish-drejtuesve dhe ushtarëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj Shtabit të Përgjithshëm e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës që rëndojnë mbi ata.(AlbanianPost)

Show More

Related Articles

Back to top button