Ka vdekur një viktimë e pretenduar e krimeve të luftës, që ishte pranuar si e tillë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykimin në Hagë. Kjo është bërë e ditur me një parashtrim nga trupi gjykues.
Në këtë vendim të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, theksohet se bashkëshortja e viktimës është pranuar të jetë pjesë e procedurave të mëtejshme që do të zhvillohen në Hagë.
“Më 15 shkurt 2023, Trupi Gjykues pranoi kërkesën e V131/06 për të marrë pjesë si viktimë në këtë procedurë Më 6 qershor 2023, avokati i viktimave njoftoi Panelin për vdekjen e V131/06, dhe paraqiti një kërkesë për të lejuar bashkëshorten e V131/06 të marrë pjesë në procedura”, thuhet në hyrje të këtij vendimi fillimisht.
Sipas vendimit të trupit gjykues, në ligj nuk specifikohet qartë nëse një familjar i një viktime të pranuar mund të vazhdojë të jetë pjesë e procedurave. Megjithatë, një kërkesë e tillë e avokatit të viktimave u aprovua.
“Në mbështetje të këtij interpretimi është neni 22(3) i ligjit, i cili parashikon se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, njohjes dhe dëmshpërblimit. Siç është vënë në dukje nga gjyqtari i procedurës paraprake, e drejta e njohjes kërkon që të njihet dëmi i pësuar nga viktima. Për të garantuar efektivitetin e kësaj të drejte, të afërmit e viktimave të vdekura ose individë të lidhur ngushtë mund të marrin pjesë në vend të tyre nëse plotësohen parametrat specifikë”, thuhet më tutje në vendim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu mbajti qëndrimin në këtë rast se, në mënyrë që një individ të mbrojë viktimën e ndjerë, duhet të sigurohen prova që: a) viktima ka vdekur dhe b) individi që kërkon të rifillojë veprimin në emër të viktimës së ndjerë ka qenë një i afërm ose një person i lidhur ngushtë”, thuhet më tutje.
Dhe si rezultat, avokati i viktimave kishte dorëzuar certifikatën e vdekjes dhe dokumentet e tjera të këtij rasti.
“Avokati i viktimave ka dorëzuar certifikatën e vdekjes V131/06 si dhe certifikatën e martesës së V131/06 dhe bashkëshortit të saj, [I REDAKTUAR].11 Çdo dokument ka indikacione të natyrës zyrtare bazuar në letrën e tyre, paraqitjen dhe vulat zyrtare të pranishme në dokumente. Prandaj, Paneli është i kënaqur me autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumentacionit të dorëzuar. Rrjedhimisht, Paneli konstaton se parashtresat e avokatit të viktimave plotësojnë kërkesat e nevojshme të përshkruara në paragrafin 7 për bashkëshortin e V131/06, [REDAKTUAR], që të rifillojë veprimin në emër të V131/06”, thuhet në vendim.
Si rezultat, kërkesa e avokatit të viktimave është pranuar. Në total, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, janë pranuar në procedura 140 viktima.
Disa prej këtyre vendimeve kanë qenë dhe janë ende subjekt i ankesave në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara të Hagës.