Kryefjala në Gostivar javën që lamë pas ishte rinia, muzika, sporti, kultura, festa dhe argëtimi, kjo për shkak se në katër ditët që lamë pas u mbajt edicioni i pestë i festivalit veror “The Park” i cili tani më është shndërruar në traditë për këtë qytet dhe jo vetëm.
Me një program të pasur kulturor, artistik dhe sportiv, Festivali përmbylli edhe një edicion të suksesshëm të tijin.
Këtë vit, pesë vjetori i festivalit ishte i dedikuar për të qenë festë për të gjithë qytetin dhe pjesëmarrësit.
Përpos muzikës, pati edhe turne në futboll, street basketboll si dhe në kajak.
Më 24 korrik performuan Christian Khiarian, Soundcheck, Plan G, Marko Logout, Tamara Grujeska dhe Ikay Yusuf.
Ndërkaq nata e fundit, mbrëmë (25 korrik) ishte më elektrizuesja për pjesëmarrësit e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Në skenë u ngjitën artistët si Elvana Gjata, Noyzi, Gimi O, Elai, Vullnet Neziri, David Dreshaj, Agoni, Apes, Doe, No Nejm & Adi, Picho, Strapz, DJ Ginger dhe DJ Crunk.
Portalb.mk ishte mbrëmë në festival, në videon më poshtë ju përcjellim disa sekuenca nga atmosfera e festivalit.
Ndryshe, “The Park Festival” organizohet që nga viti 2019 në parkun e Gostivarit nga Inbox Entertainment, i njëjti mbështetet nga disa sponsorë si dhe Komuna e Gostivarit dhe Ministria e Kulturës, ku këtë vit siç theksuan nga festivali, këtë jubile festivali hasi në probleme të mbështetjes së denjë financiare nga Ministria e Kulturës, madje duke rrezikuar ekzistencën e festivalit.\Portalb.mk\