LajmeRajon

Konstituohet Kuvendi i ri i Malit të Zi, por nuk zgjidhet kryetari

Në seancën e parlamentit të Malit të Zi, të enjten u verifikuan mandatet e 81 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit, por nuk u zgjodh kryetari i ri.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Nikolla Mugosha, i cili lexoi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, tha se pret që kjo legjislaturë e re të ketë sukses në zbatimin e reformës zgjedhore brenda afatit ligjor.

Në pikën e parë të rendit të ditës, e cila u miratua njëzëri, ishte paraparë të zgjidhet kryetari i Kuvendit, por nuk kishte kandidat për atë post, raporton rtcg.

Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, seancën konstituive e kryeson deputeti më i vjetër, i cili ndihmohet nga deputeti më i ri dhe sekretari i përgjithshëm i parlamentit.

Deputeti më i vjetër është Milan Lekiq nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG)”, ndërsa deputeti më i ri është Mirko Gjukiq nga “Lëvizja Evropa Tani (PES)”.

Më 11 qershor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u vlerësuan si të lira dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lëvizja “Evropa Tani”, e formuar vitin e kaluar, fitoi numrin më të madh të votave, 24 vende në parlament e ndjekur nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, të ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviq, partia e të cilit mbajti pushtetin mbi 30 vjet në Malin e Zi.

Ndërkohë, Genci Ninambegu do të jetë përfaqësues i Aleancës Shqiptare ndërsa Forumi Shqiptar do të përfaqësohet nga Nik Gjeloshaj dhe Nikola Camaj.

Në parlament do të shkojnë edhe tre shqiptarë të tjerë. Mehmet Zenka dhe Drita Lola përfaqësojnë partinë e ish-presidentit, Milo Gjukanoviq ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe kryeministri në largim, Dritan Abazoviq, i lëvizjes URA. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button