Një stuhi e fortë ka goditur Slloveninë, ku është lëshuar alarmi i kuq në pjesën verilindore, veriperëndimore dhe qendrore të vendit. Shumë rrugë në të gjithë shtetin slloven janë përmbytur dhe mbyllur për shkak të reshjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Në disa komuna, banorëve u është kërkuar që të largohen në vende të sigurta ose të qëndrojnë në shtëpi.
Agjencia Sllovene e Mjedisit ka lëshuar alarmin e kuq që është i vlefshëm deri në mesnatën e sotme për shkak të reshjeve, të cilat pritet të shkaktojnë përmbytje të mëtejshme. Në disa zona tashmë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë, komandanti i Mbrojtjes Civile të Sllovenisë, Sreçko Sestan, tha policia ka raportuar për disa të vdekur, por ende nuk ka informacion konkret për rrethanat. Sipas të dhënave të Autoritetit Slloven për Mbrojtje dhe Shpëtim, në 12 orët e fundit janë regjistruar më shumë se 1.000 aksidente dhe në ndihmë kanë mbërritur zjarrfikësit nga 168 shërbime zjarrfikëse.
Ndërkohë edhe Italia pritet të përfshihet këtë fundjavë nga moti i keq, ndërsa Mbrojtja Civile e këtij vendi ka lëshuar alarmin portokalli për dy rajone Marche dhe Lombardia. Stuhitë e forta të erës që mund të kthehen në ciklone dhe breshëri pritet që të prek 12 rajone në Itali. Në Milano, Bashkia ka urdhëruar mbylljen e parqeve, zonave të gjelbra, ndërsa është kërkuar edhe mbyllja e disa tregjeve. Në Venecia pritet që moti I keq të sjellë përmbytje dhe reshje të furishme breshëri. Vetëm përpara disa ditësh veriu i Italisë u përfshi nga stuhi të shumta shiu të cilat u shoqëruan me erë të forte dhe breshër.
Si pasojë e motit të keq u shkaktuan dhjetëra milionë euro dëme ndërsa humbën jetën të paktën 5 persona.