Policia ka njoftruar se në Portin e Durrësit janë sekuestruar 121 680 euro, para të cilat u tentua të futeshin në Shqipëri të fshehura në tavanin e një autobusi me qëllim shmangien e deklarimit të tyre.
Përmes një komunikate zyrtare blutë bëjnë me dije se është vënë në pranga shtetasi me inicialet L. N. i cili ka në pronësi autobusin dhe është proceduar penalisht shoferi, shtetasi me inicialet E. S.
Ky zbulim vjen në sajë të operacionit policor “Fluksi”.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara në këtë pkk, për parandalimin e futjes së shumave të konsideruehsme të parave, pa i deklaruar, shuma të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L. N. dhe me drejtues shtetasin E. S.
Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme“-njofton policia.