Partizani, Ballkani dhe Struga Trim Lum, arritën që të bëjnë mjaft mirë detyrën në ndeshjet e kthimit të Ligës së Konferencës, duke arritur që të kualifikohen për në fazën e tretë. Tri skuadrat shqiptare kampione (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut) nuk kanë kohë për të humbur, pasi menjëherë do të vihen përballë kundërshtarëve të radhës. Të enjten e datës 10 gusht, Partizani do të udhëtojë drejt Letonisë për t’u ndeshur me Valmieran, Ballkani do të presë në shtëpi skuadrën nga Gjibraltari të Linkoln Red Imps. Ndërkohë që Struga Trim Lum do të përballet në Shkup me ekipin e Svift Hesperanxh, që vjen nga Luksemburgu.
Nëse kualifikohen, tri skuadrat do të mbërrinin në fazën “play-off”, një hap larg kalimit në fazën e grupeve. Aty ku Ballkani mori pjesë sezonin e kaluar, duke u shndërruar në skuadrën e parë dardane që mbërrin aq larg. Nëse ia del përballë Linkolnit, Ballkani i Ilir Dajës mund të ndeshet me ekipet që eliminohen nga çiftet:
FK Zalgiris Vilnius (Lituani) / BK Hacken (Suedi)
FC Sheriff Tiraspol (Moldavi) / FC BATE Borisov (Bjellorusi)
Nëse Partizani dhe Struga Trim Lum kualifikohen, do vihen përballë një prej ekipeve që eliminohen nga çiftet:
HSK Zrinjski (Bosnje) / Breidablik (Islandë)
Qarabag FK (Azerbajxhan) / HJK Helsinki (Finlandë)
FC Astana (Kazakistan) / PFC Ludogorets 1945 (Bullgari). /Supesport.al/