
Juve argëtohet në testin miqësor kundër Next Gen, djemtë e Allegrit dhuruan një shoë ofensiv duke fituar me rezultatin e thellë 8-0. Dushan Vlahoviç dhe Kaio Horhe ishin protagonistë absolut duke realizuar 5 nga 8 golat e “Zonjës së Vjetër”. “Bomberi” serb duket se ka lënë pas problemet fizike teksa ka shfaqur një formë të mirë gjatë fazës përgatitore, këtë e vërtetoi edhe një herë duke realizuar një “dopietë” golash. Shkëlqeu në këtë test edhe talenti brazilian Kaio Horhe, autor i një “triplete”. Paraqitja e tij është një lehtësim edhe për stafin, me në fund braziliani, pas një viti shumë të vështirë shënon dhe feston. I kënaqur me paraqitjen e djemve të tij ishte edhe trajneri Maksimiliano Allegri.
“Jam i kënaqur me Vlahoviçin, me të gjithë grupin që kam në dispozicion, kam një fazë ofensive të rëndësishme. E kam thënë edhe më herët, Vlahoviçi është një qendërsulmues i Juves, por nëse vjen ndonjë ofertë e rëndësishme shoqëria do e vlerësojë,” theksoi Allegri pas testit miqësor.
Pikërisht atëherë kur Vlahovic ishte me një këmbë jashtë Torinos, situata e tij ka ndryshuar totalisht, të paktën në lidhje me një transferim të mundshëm te Çellsi.
Juventusi ka refuzuar ofertën e bluve të cilët u paraqitën në Torino me 25 milionë euro kesh, plus kartonin e Lukakut. Ky refuzim i Juves ka bërë që drejtuesit e Çellsit të heqin dorë nga Vlahoviçi duke mbyllur negociatat.
Kundër këtij transferimi kanë dalë në mënyrë demonstrative edhe tifozët e “Zonjës së Vjetër”. Në fund të sfidës pushtuan fushën dhe të gjithë në kor dolën kundër belgut: “Nuk e duam Lukakun”, ishin thirrjet e tyre.