GostivarLajme

Raveni priti me organizim të veçantë atdhetarin Naser Miftari

Bashkësia Lokale e fshatit Raven ka organizuar pritje madhështore për Naser Miftarin, veprimtari nga ky fshat i cili jeton dhe vepron në Bosnje dhe Hercegovinë. Kohë më parë, ai u dekorua nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”. Miftari shquhet për rolin e tij të spikatur në organizimin e mërgatës shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë; ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të shqiptarëve atje. Ai mbahet mend edhe për organizimin e strehimit të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Ka qenë pranë shqiptarëve dhe ka ndihmuar ata me grumbullimin e ndihmave edhe gjatë fatkeqësive natyrore që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Ceremonia u hap nga Nazmi Miftari nga fshati Raven, i cili solli një biografi të shkurtër për Naser Miftarin.

“Jemi tubuar sonte këtu për të kremtuar nominimin e bashkë-fshatarit tonë Naser Miftari nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta. Për ne si bashkë-fshatarë të Naserit është një nderë i madh me atë që e bëri Presidenti i Republikës së Shqipërisë që këtë vit nominoi dhe ndau çmimin dhe dekoratën ‘Kalorës i Urdhërit të Flamurit’. Kjo dekoratë ngre lartë veprimtarinë e tij i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare i cili edhe pse në mërgim gjithmonë ka qenë në shërbim të atdheut dhe kombit shqiptar”, tha Nazmi Miftari nga fshati Raven.

Naser Miftari ka lindur në fshatin Raven, ndërsa shkollën fillore dhe të mesme e ka mbaruar në Gostivar. Ka nisur studimet për mjekësi në Prishtinë, ndërsa në vitet e 90-ta ka qenë themelues i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, ri-themelues i klubit shqiptar “Bajram Curi” në Sarajevë e në vitin 1992 zgjidhet humanisti i vitit në Sarajevë.

“Ishte nevoja kur kërkonte flamuri, atdheu, kombi ishte në pyetje. Detyrë e të gjithë neve ka qenë të japim një kontribut sado të vogël. Me shumicën e atyre shokëve të cilët nuk gjinden në mesin tonë, pasi janë në BeH, të gjallë por edhe shumë të vdekur. Zoti atyre parajsën e të gjallëve shëndetin. Ata kanë qenë veprimtarë shumë më të mirë se unë. Por, dikush duhej ta merr dekoratën e më ra hise mua. Iniciativa ka qenë e Bashkësisë Shqiptare të BeH dhe e shoqatave tjera që veprojnë e punojnë në BeH, si dhe mirënjohje nga UÇK-ja e Kosovës e edhe Lugina ka qenë për këtë. Jo se Naser Miftari është merita e kësaj dekorate nga Presidenti, z. Ilir Meta, por është merita e të gjithë atyre që në momentin e duhur sot nuk janë me mua këtu, ata më presin në Sarajevë dhe besoj se edhe me ata do ta ndajë këtë kënaqësi”, deklaroi Naser Miftari, veprimtar.

Ai ka falenderuar iniciatorët për organizimin, të cilën kishte kërkuar të jetë pa ngjyrime partiake. Gjatë fjalës së tij, rinisë së fshatit Raven i la një amanet.

“Dëshira ime për të gjithë të rinjtë është që të japin atë që duhet për atdhe, komb e për atë flamurë i cili është shekullor. Dhe do isha i lumtur që unë një ditë të ndajë dekoratë për një të ri nga ky fshati im edhe pse tingëllojë lokalist, e që edhe një nga presidentët e Shqipërisë t’ia ndajë të njejtën dekorate”, tha Naser Miftari, veprimtar.

Anëtari i Këshillit iniciues të këtij organizimi, Faton Abdullai ndau dhuratën e përgatitur për z. Naser Miftari.

“Naser Miftari u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë për ndjenjat e larta atdhe-dashëse duke sakrifikuar me sublimin nga jeta e tij personale në shërbim të jetësimit të aspiratave shekullore të shqiptarëve jo vetëm në kufrinjtë administrativ të Shqipërisë, por në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët historikisht. Andaj, kam kënaqësinë që në emër të të gjithë fshatit që si simbol të këtij organizimi të ndajmë dy fotografi ku njëra, kjo para meje, do ti ngel Bashkësisë Lokale dhe tjetrën do t’ia dhurojmë z. Naser Miftari si kujtim nga fshati”, deklaroi Faton Abdullai, anëtari i Këshillit iniciues.

Ndryshe, Naser Miftari është edhe themelues e kryetar i Këshillit të emergjencës për ndihma për popullin shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë në BeH. Themelues i Këshillit emergjent për pritjen, strehimin e refugjatëve nga Kosova në BeH dhe kthimin e tyre në Kosovë, si dhe shumë punë e detyra të tjera jo më pak të rëndësishme. Sot, Naser Miftari është një ndër biznismenët dhe afaristët më të njohur shqiptar në BeH.

Show More

Related Articles

Back to top button