Me suksesin e sezonit të sivjetëm turistik, bukuritë e natyrës shqiptare dhe vala e turistëve të huaj këtu vijojnë të marrin vëmendjen e medieve ndërkombëtare.
Italia, Franca, Britania e Madhe dhe tashmë, fqinjja jonë ballkanase, Kroacia, po i bëjnë jehonë suksesit të turizmit në vend.
Në një kronikë të shpërndarë nga kryeministri Edi Rama, televizioni kroat RTL vlerëson përveç natyrës e plazheve, ka edhe shërbimet e infrastrukturën, kulturën e historinë, si edhe çmimet e ulëta me të cilat mund të kalosh pushimet verore në Shqipëri.
“Çmimet janë më të ulëta, si për akomodim, ashtu edhe për absolutisht çdo gjë, qoftë edhe për parkim. Akomodimi për një javë për dy persona në Kroaci do të kushtonte 2–3 mijë euro, kurse në Shqipërisë rreth 1 mijë euro për një javë, ndoshta edhe më pak,” shprehet një turiste pë RTL.
Ndërkohë gazeta angleze “Daily Mail” e nis artikullin e saj reklamues me deklaratën se shumë shtetas britanikë po zgjedhin Shqipërinë këtë verë.
Edhe për britanikët, dhe gati 120 mijë shtetas po e vizitojnë Shqipërinë çdo vit, në sy bien plazhet piktoreske të bregdetit shqiptar, hotelet dhe restorantet e lira.
Qyteti i Tiranës, Saranda, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, plazhet ranore të Ksamilit, qyteti i Beratit apo Gjipeja janë disa nga destinacionet më të bukura të përzgjedhura për ilustrim.
Për Shqipërinë, 2023-shi konsiderohet viti më i suksesshëm në aspektin turistik.
/rtsh.al/