Kryeministri i Kosovës do të bëjë fushatë për PS në në Zvicër – SVP shprehet e habitur. Ky është titulli i artikullit që kanë botuar sot gazetat zvicerane: Aargauer Zeitung, Zofingertagblatt, Tagblatt, etj
Në artikull bëhet e ditur se “Kryeministri Albin Kurti në prag të zgjedhjeve nacionale, do të përfshihet në fushatën elektorale të zgjedhjeve që mbahen më 22 tetor në Zvicër në ndihmë për partinë PS (Partinë Socialdemokrate).
“Ndihma elektorale nga Ballkani për shokët zviceranë”, kështu e nis artikullin gazeta zvicerane “Aargauer Zeitung”, artikull ky që është publikuar edhe nga disa media të tjera zvicerane.
“Në shtator, kreu i qeverisë kosovare, Albin Kurti, do të bëjë fushatë për PS-në në një paraqitje në Cyrih, ku në garë ka edhe shtetas kosovarë-zviceranë”, thuhet në artikull, teksa theksohet se për këtë përfshirje të kryeministrit Kurti në fushatën elektorale, ka kritika nga partia më e madhe rivale në Zvicër SVP (Partia Popullore Zvicerane), e cila po ashtu është në garë për të marrë votat e qytetarëve zviceran-kosovarë, që kanë dy shtetësi.
Në të njëjtën gazetë, “Aargauer Zeitung”, përveç artikullit, sot është botuar edhe një koment nga autori Jürg Ackermann, i cili paralajmërimin e përfshirjes së kryeministri Kurti në fushatën e elektorale në shtator, në Cyrih e cilëson si “një shenjë e mirë”, transmeton Radio Kosova.
“Ndoshta nuk ka asnjë grup emigrantësh, imazhi i të cilit ka ndryshuar për të mirë në vitet e fundit si i atyre nga Kosova”, shkruan komentatori i cili merr si shembull të mirë futbollistët: Xhaka, Shaqiri, Behrami, si dhe shume yje të muzikës, teksa ndalet te përfshirja e shqiptarëve në politikë:
“Në pranverë, Ylfete Fanaj, nga Lucerni, ishte politikania e parë me prejardhje kosovare që u bë pjesë e një qeverie kantonale, prandaj nuk është çudi që disa parti po konkurrojnë për votat e diasporës kosovare në prag të zgjedhjeve të vjeshtës, mbi të gjitha PS-ja ( Partia Socialdemokrate).
‘Tani shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, thuhet se është duke u rënë daulleve për socialdemokratët… “Të dhënat kanë treguar se pjesëmarrja në votime e popullsisë etnike shqiptare në Zvicër është shumë e ulët dhe nëse përfshirja e Kurtit ndihmon në rritjen e pjesëmarrjes dhe interesimit në politikën zvicerane – aq më mirë”.
“Kushdo që voton, tregon se dëshiron të jetojë dhe ta ndihmojë shtëpinë tyre të re. Nuk ka një formë më të mirë të integrimit. Do të ishte një hap i mëtejshëm drejt një historie të vërtetë suksesi”, theksohet tutje në komentin e gazetës “Aargauer Zeitung” .
Angazhimin në fushatën elektorale për zgjedhjet e 22 tetorit, kryeministri Kurti e kishte paralajmëruar edhe në intervistën dhënë për gazetën “Blick” më 18 janar të këtij viti.
“Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike”, kishte thënë gjatë intervistës kryeministri Kurti ndërsa kishte shtuar se “synimi është mbështetja e ndërsjellë në fushatën zgjedhore”.
Kryeministri Kurti gjatë intervistës së dhënë për gazetën Blick më 18 janar, kishte konfirmuar gjithashtu se është në raporte miqësore me bashkëpresidentin e Partisë Socialdemokrate, Cédric Wermuth.
“Cédric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike”, kishte deklaruar Kurti, transmeton Radio Kosova.