Ilir Avdullahi i njohur me nofkën “Liza” po kërkohej për vite me radhë nga organet e rendit si i dyshuar për vrasjen e policit, Triumf Riza.
Pas arrestimit më 16 korrik të këtij viti, ishte nën masën e paraburgimit.
E pas skadimit të kësaj mase, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi’, mbrojtësi i Avdullahut, avokati Fanol Krasniqi.
Avokati Krasniqi tha se të mbrojturit të tij, masa e paraburgimit i është vazhduar deri më 15 tetor, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Kujtim Krasniqi.
Ndryshe, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik ia kishte caktuar Avdullahut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.
Me këtë, thuhet se në bashkëkryerje dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë’’ nga neni 147, paragrafi, 1 nënparagrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës).
Ndryshe, Policia më 16 korrik njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Për Triumf Rizën është duke u rigjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit.