Vjen zyrtarizimi i parë i kësaj merkatoje verore te Barecelona. Klubi katalan ka njoftuar nënshkrimin me Franck Kessié, i cili u largua nga Milani në përfundim të sezonit si lojtar i lirë. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë do të jetë i lidhur me ngjyrat “blaugrana” deri në vitin 2026 dhe ka klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh.
Futbollisti afrikan, i cili mbush 26 vjeç më 19 dhjetor, ka luajtur për “Djallin” në pesë sezonet e fundit, duke e mbyllur përvojën si kuqezi me titullin e Serisë A, që i mungonte Milanit prej 11 vjetësh.
Presidenti i Barçës, Joan Laporta, njoftoi të shtunën e kaluar se Kessié do të prezantohet këtë të mërkurë në “Ciutat Esportiva”.
Barça e kishte ndjekur Kessié-n me shumë vëmendje para ardhjes së Xavi Hernándezit. Drejtuesit e Barcelonës, të vetëdijshëm për vështirësitë ekonomike, këmbëngulën për Kessié-n dhe Andreas Christensen, me këtë të fundit që do të prezantohet të enjten.
Franck Kessié do të jetë lojtari i dytë nga Bregu i Fildishtë në historinë e Barçës pas Yaya Touré (2007-10). Afrikani ka shënuar 37 gola në 223 ndeshje për Milanin.