Prokurorët e Prokurorisë Publike të Shkupit kërkuan që Gjykata në Tetovë të refuzojë propozimin e mbrojtjes për të dëgjuar ekspertin që ka përgatitur raportin gjerman për zjarrin në spitalin modular, me arsyetimin se ai është “i parëndësishëm” për këtë rast.
Kështu dëgjohet nga audio-incizimi i publikuar nga Laboratori i Gazetarëve Hulumtues (IRL), i bërë në njërën nga seancat e procesit gjyqësor për tragjedinë, në të cilën u gjykuan dy drejtorët dhe një mjek në spitalin e Tetovës.
Ndonëse ekspertiza e ekspertëve gjermanë është bërë me kërkesë të Prokurorisë Publike, vetë prokurorët, siç thuhet nga IRL, e kanë paraqitur ekspertizën në cilësinë e provës, pa sqaruar se për çfarë prove bëhet fjalë, dhe më pas kanë kërkuar nga gjykata që të mos pranojë propozimin e mbrojtjes për t’u thirrur edhe eksperti gjerman për të dëshmuar. Përveç vlerësimit se është “i parëndësishëm”, prokurorët e kundërshtojnë kërkesën duke thënë se mbrojtja po tenton vetëm të zvarritë gjykimin.