LajmeMaqedoni

Sindikata e Gazetarëve: Sulmi ndaj ekipit të Alsat, si sulm ndaj zyrtarit

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik e dënon ashpër sulmin ndaj kameramanit dhe gazetareve të televizionit Alsat. Sindikata kërkon që sulmi i një dite më parë të trajtohet në pajtim me Kodin Penal, përkatësisht si sulm ndaj një personi zyrtar.

“Sulmi nuk ishte vetëm verbal, por edhe fizik pas çka kameramani I televizionit Alsat ka pësuar lëndime trupore që për Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik, ky është një shembull i shkeljes flagrante të Kodit Penal, sipas të cilit sulmi ndaj një gazetari gjatë kryerjes së detyrave të punës trajtohet si sulm ndaj një zyrtari dhe dënohet në përputhje me rrethanat,” thuhet nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik.

Ndryshimet në Kodin Penal që pas dy vjet pritje u miratuan në shkurt të këtij viti parashohin që sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik të trajtohen si sulm ndaj një personi zyrtar dhe me të sulmuesit të dënohen me burg. Sipas këtyre ndryshimeve, për kërcënim me jetë ndaj punonjësve mediatik, avokatëve dhe punonjësve shëndetësor, sulmuesit do të përgjigjen me dënim në kundërvlerë në para ose dënim me burg deri në 6 muaj. Ndërsa nëse kërcënimi shkakton ndjenjë frike apo pasiguri, dënimi mund të arrijë edhe deri në 1 vit burg. Në rast të dhunës së bërë ndaj këtyre personave, dënimi me burg mund të jetë nga 3 muaj deri në 3 vjet.

“Do të dënohet vepra që do të kryhet ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës, avokat, mjek ose punonjës tjetër shëndetësor, gazetar ose punonjës tjetër mediatik ose person tjetër që kryen punë të interesit publik gjatë kryerjes së detyrës profesionale,” thuhet në KODIN PENAL.

Se kërcënimet me jetë janë vepra penale kanë rikujtuar edhe nga Shoqata e Gazetarëve, nga ku lidhur me këtë rast kanë kërkuar që urgjentisht të hetohet dhe procesohet rasti, me qëllim që veprat e tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ndërkohë Këshilli i Etikës në Media reagoi duke theksuar se sulmuesi i ekipit të televizionit Alsat duhet të sanksionohet pasi vetëm në këtë mënyrë përcillet porosia se liria e shprehjes është e mirë e përgjithshme. /alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button