Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar lajmin për refuzimin e ndihmës së zjarrfikësve shqiptarë që shkuan për të shuar flakët në shtetin fqinj.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministria e Mbrojtjes shkruan se Shqipëria ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, por është refuzuar.
Sakaq shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave të tragjedisë, ku humbën jetën 18 persona, të dyshuar si emigrantë.
Postimi i plotë:
Të tronditur dhe të shqetësuar për situatën e rëndë që Greqia fqinje po përjeton nga zjarret masive, të cilat nuk kanë kursyer as jetët e njerëzve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të kësaj tragjedie!
Shqipëria, përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë.
Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera.
Ministria e Mbrojtjes uron që situata e rëndë në vendin mik të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë dhe mbetet e anagazhuar për t’iu bërë krah miqve, partnerëve dhe fqinjëve në çdo rast kur kërcënimi bën të nevojshëm riafirmimin e parimeve që na bashkojnë