LajmeRajon

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, fillon konferenca përgatitore për mbrojtjen

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës po mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen që paraprin hapjen e çështjes së mbrojtjes.

Seanca po vazhdon në sesion publik me rendin e ditës të paracaktuar në seancën e të hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.

Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.

Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Show More

Related Articles

Back to top button