Gjashtë turistë italianë që zgjodhën Sarandën për të kaluar pushimet e tyre, përjetuan momente tmerri pasi pronari i banesës i mbajti peng duke i kërcënuar edhe me jetë.
Jashar Ademi, 59-vjeç nga Kosova ka mbajtur për më shumë se një orë të mbyllur në banesën e tij 6 turistët italianë pasi sipas tij i kishin dëmtuar disa mobilje.
Pavarësisht thirrjeve të turistëve Ademi nuk i linte që të dilnin nga banesa, madje edhe duke i kërcënuar.
59-vjeçari i ka kërkuar 200 euro italianëve me pretendimin se i dëmtuan krevatin e dhomës së gjumit. Ishte telefonata e njëres prej vajzave turiste e cila kërkoi ndihmë në polici. Menjëhere blutë e Sarandës kanë hapur derën duke liruar të huajt.
59-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë.
Ky nuk është rasti i parë ku turistët e huaj keqtrajtohen nga pronarët e banesave apo të restoranteve në Shqipëri.
Para pak vitesh një ngjarje e rëndë që njollosi sezonin turistik ishte ai i Mihal Kokëdhimës. Ky i fundit duke rrezikuar jetën e tij dhe të turistëve spanjoll u var në mjetin e tyre, duke i kërcënuar ata vetëm pse shfaqën pakënaqësi për shërbimin në restorantin e këtij të fundit.