Bumi turistik, shifrat priten të jenë më të larta për Korrikun e Gushtin
Vijon rekordi i turistëve italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të preferuar për pushime.
Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vetëm në periudhën Janar-Qershor të këtij viti kishte rritje të tyre me 57% më shumë në raport me të njëjtën periudhë të 2022.
Më konkretisht në shifrat e publikuara për 6 muaj vizituan Shqipërinë 310,336 italianë, kundrejt 198,031 që ishin në të njëjtën periudhë të 2022.
Megjithatë ky rekord i turistëve italianë pritet të thellohet më shumë pas publikimit të të dhënave të muajve Korrik dhe Gusht, për shkak të bumit të madh turistik që është raportuar edhe në mediat italiane, por dhe ato ndërkombëtare.
Ndërsa sa i përket vizitorëve që vijojnë të zënë vendin e pare, vijon të dominojë turizmi patriotik nga shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit. Vetëm në periudhën Janar-Qershor të këtij viti mbi 1.38 milionë shqiptarë të Kosovës vizituan vendin tone ose 43% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2022.
Një peshë të rëndësishme zënë edhe polakët të cilët prej vitesh vijnë në formë të organizuar në Shqipëri.
Nga shifrat e publikuara për periudhën Janar-Qershor 2023 ishin 59 mijë vizitorë apo 73% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Shifrat pritet të pësojnë sërish ndryshime për muajt Korrik dhe Gusht të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare gjatë gjashtëmujorit të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë mbi 3 milionë e 396 mijë vizitorë të huaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022 rritja është 33% më shumë.
Megjithatë për shkak të flukseve të mëdha të turistëve italianë apo dhe me kombësi të ndryshme gjatë muajve Korrik dhe Gusht të këtij viti raporti i vizitorëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime pritet të jetë shumë herë më i madh.
Turistët italianë Janar-Qershor
Viti 2022 Viti 2023
198,031 Persona 310,336 Persona
Vizitorët shqiptarë nga Kosova, Janar-Qershor
Viti 2022 Viti 2023
969,547 Persona 1,382,474 Persona