Janë dhuruar 3 mijë çanta shkolle për fëmijë jetimë dhe fëmijët me rrethana të vështira materiale të cilët jetojnë në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Kjo ndihmë u bë nëpërmjet donatorëve të ndryshëm në Kosovë dhe diasporë ndërsa u realizua nëpërmjet organizatës Islamic Relief Kosova (IRK).
Qindra fëmijë me nënat apo familjarët e tyre morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së çantave në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Albulena Gashi, menaxhere e programit në IRK, tha se nga viti 2003 është nisur një program për të ndihmuar fëmijët me bursa mujore, ndërsa nga viti 2007 ka filluar ky program, për të ndihmuar fëmijët me shpërndarjen e çantave shkollore.
Gashi theksoi se projekti është mbështetur nga donatorët vendorë.
“Falënderojmë të gjithë për kontributin e tyre sepse falë këtij kontributi kemi arritur të mbulojmë 3 mijë familje anë e mbanë Kosovës në bashkëpunim me komunat, departamentet për punë sociale, përfshirë edhe fëmijët që tashmë janë në listat tona”, tha Gashi.
Lavdim Gashi nga Departamenti i Koleksionit të Fondeve Lokale në IRK falënderoi nënat që kujdesen për fëmijët e tyre derisa inkurajoi ato që t’i stimulojnë fëmijët në rrugën e shkollimit dhe të dijes.
“Njerëzit që ofrojnë mjete për këto çanta nuk janë shumë të pasur edhe ata kanë vështirësitë e tyre, por, që gjithmonë kanë një kërkesë nga ju. Ata kërkojnë nga ju që ju të mos i harroni në lutjet tuaja”, theksoi Gashi.
Nga 3 mijë çanta gjithsej, rreth 1.700 prej tyre janë rezervuar për fëmijët jetimë ndërsa pjesa tjetër u dedikohen fëmijëve në nevojë.
Viti i ri shkollor në institucionet shkollore publike në Kosovë fillon më 1 shtator.