LajmeRajon

BE s’do më vonesa, para takimit me Vuçiqin, Kurti kërkon zbatim urgjent të marrëveshjes, Asociacioni konsiderohet thelbësor

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak thoshte se “nuk është sekret” që Perëndimi dëshiron këtë vit zbatim të marrëveshjes së finalizuar në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rreth dy muaj nga ajo marrëveshje tensionet në terren u përshkallëzuan deri në dhunë, por kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq pritet të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në shtator. Nga Brukseli thonë se presin zbatim “pa vonesa të mëtejshme”. Pala kosovare ka shprehur dëshirën që gjithçka të zbatohet më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm. SHBA-ja e konsideron çështje thelbësore themelimin e Asociacionit.

Bashkimi Europian po punon për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të rifillojë në shtator me një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksansdar Vuçiq.

“Puna për Dialogun është duke vazhduar”, i tha Gazetës Express zëdhënës i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim. Fillimisht, në Bruksel kërkojnë që të bëhen hapat e përcaktuar për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

“Ne kemi deklaruar vazhdimisht gjatë javëve të fundit se ka një pritje të qartë nga ana e BE-së nga palët për të ndërmarrë hapat e mirëpërcaktuar për de-përshkallëzimin dhe krijimin e kushteve për rifillimin e dialogut”, tha Stano.

BE-ja nuk specifikon nëse pret zbatim të marrëveshjes për rrugën e normalizimit këtë vit, por blloku europian kërkon të mos ketë vonesa të mëtejshme.

“E thamë gjithashtu shumë qartë se është thelbësore që Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj, të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme”, tha Stano.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pati mundësinë ta takonte Kurtin të hënën në Slloveni, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, ku diskutuan për rundin e ri të bisedimeve.

“Kisha një takim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti sot në Bled. Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialog në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, shkroi Lajçak pas takimit.

Data e saktë e takimit nuk është caktuar ende. “Ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë sipas rastit dhe kur është e nevojshme”, tha Stano.

Kurti kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë para zgjedhjeve në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përpara zgjedhjeve të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Kurtit, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet urgjentisht, përpara se aleatët të preokupohen me zgjedhjet në SHBA dhe në Bashkimin Europian.

“Ka një ndjenjë urgjence për zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruara në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Kurti të hënën në Slloveni, ku shkoi për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Kosova thotë se po e bën punën e saj në bazë të një marrëveshje të cilën iu desh ta arrinte me BE-në për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Pasi e mori ndëshkimin e Brukselit dhe më pas u pajtua për një plan shtensionimi, Kurti pritet të ulet sërish përballë Vuçiqit në një rikthim në dialogun e ndërprerë nga tensionet në veri që u përshkallëzuan deri në dhunë. Tensionet në terren eskaluan deri në dhunë rreth dy muaj pas marrëveshjes së finalizuar më 18 mars në Ohër, e cila u quajt “Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Perëndimi ende e konsideron historike marrëveshjen e finalizuar në Ohër. Këtë e tha edhe një herë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut para një jave. SHBA-ja e konsideron element thelbësor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, Washingtoni e sheh të lidhur me anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha së fundmi në një intervistë në programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se pret që në drejtim të shtensionimit të situatës të ketë lëvizje të reja në shtator, pasi e konsideron urgjente “një përparim në këtë çështje”.

“Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë”, tha ndër tjerash Hill.

Siç pati thënë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në mars, nuk është sekret që ndërkombëtarët duan zbatim këtë vit. I pyetur në një intervistë në Radion Evropa e Lirë se a presin zbatim të marrëveshjes këtë vit, sepse vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje dhe çështje të tjera të rëndësishme, Lajçak përgjigjej kështu: “Sërish, ne kishim planifikuar shumë afate konkrete kohore në dokumentin fillestar. Tani, ne nuk duam që palëve t’iu imponojmë afate. Ne duhet të pajtohemi për këtë kur të takohemi. Por, ky nuk është sekret”.

Show More

Related Articles

Back to top button