Pa kirurgji tradicionale dhe pa prerje deri te largimi i gurëve nga fshikëza e urinës. Ky shërbim shumë shpejtë fillon pranë Spitalit të Gostivarit, duke e bërë këtë qendër shëndetësore të tretën në vendin tonë, që ofron këtë shërbim, falë pajisjes me aparaturë të njohur si laser holmium. Intervenimi është i ngjashëm me operacionin e hapur, por nuk kërkon prerje. Aparatura tanimë ka mbëritur në Spitalin e Gostivarit dhe nga dita e hënë pritet të montohet, thotë drejtori Ylber Ademi.
“Ne me tenderin e fundit u furnizuam edhe me një aparat për thyerjen e gurit i njohur te popullata si laser dhe këtë herë vërtetë është i tillë, pasi bëhet fjalë për holmium laser. Aparatura ka ardhur dhe presim ekipin e montazhit që të vijë ta montojë dhe besoj se ata do të vijnë nga 4 shtatori. Presim që të na vijë edhe pacienti i parë dhe me holmium laserin, ne do të mund t’i thyejmë gurët në fshikëzën urinare sidomos në ureter. Sa jam unë i njoftuar holmium laser ka Klinika e Urologjisë dhe Spitali “8 Shtatori”. Nuk kam njohuri nëse ndonjë spital tjetër i vendit të jetë i furnizuar me këtë aparaturë. Është metodë me thyerje nga jashtë siç e njeh populli”, deklaron drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi.
Drejtori Ademi thotë se së shpejti Spitali i Gostivarit duhet të furnizohet edhe me një aparaturë tjetër për intervenim për thyerje të gurëve edhe në veshka.
“Kemi disa tipe dhe bëhet fjalë për kombimin të elementeve organike dhe jo organike, 13 – 14 elemente organike dhe 15 – 16 elemente jo organike dhe ato së bashku na japin me miliona kombinime. Megjithatë, ne në mjekësi i ndajmë ndryshe gurët, sipas tipeve. Ka gurë që edhe nuk thyhen, por ka gurë që thyhen edhe me një prekje. Shkenca e formimit të gurit është e kompikuar, por ne jemi ata që duhet ta zgjidhm atë problem, ta eleminojmë gurin”, deklaron drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi.
Me holmium laserin spitali i Gostivarit do mund të zgjidh deri në 70 përqind të rasteve te pacientëve që u shfaqen gurë në fshikzën urinare.