Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut e miratuar 33 vjet më parë shprehu vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ku 10 vjet pas saj Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese falë rezistencës së popullit dhe luftës së pastër të UÇK-së.
Kurti ka kujtuar këtë ngjare dhe ka vlerësuar protagonistët.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë. Në kujtim të përpjekjeve të asaj gjenerate që për herë të parë e shpalli Kosovën republikë. Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 “Kosova Republikë” u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008”, ka shkruar Kurti.